Nga sot pika kufitare e Kapshticës do jetë e mbyllur.

Pas publikimit të lajmit nga Top Channel ku u zbulua me fakte falsifikimi i tamponëve që nevojiten për të kaluar kufirin, organet greke të sigurisë janë vënë në alarm, dhe morën vendimin e mbylljes së pikës kufitare.

Tashmë, nga sot, deri në datën 04.12.2020, Pika e Kalimit Kufitar Kapshticë, do të jetë e bllokuar dhe nuk do të lejohet lëvizja e këmbësorëve dhe e mjeteve (vetura, autobusa dhe kamiona) si në hyrje dhe në dalje të Greqisë.

Shërbimet greke kanë evidentuar se prej të paktën dy pikave në qytetin e Korçës, anëtarë të organizatës rezervonin platforma me të dhëna jo të sakta, të cilat në vazhdim, pasi i korrigjonin, ua shisnin udhëtarëve që dëshironin të kalonin nëpër doganën e Kapshticës me destinacion Greqinë.

Të paktën 9000 platforma janë evidentuar si të falsifikuara, çka ka bërë që dogana e Kapshticës të ketë plotësuar numrin prej 300 vetë në ditë, edhe për muajt e ardhshëm.

Mbyllja e Kapshticës do të detyrojë banorët e Korçës të zgjedhin kalimin nëpërmjet Maqedonisë së Veriut dhe doganës greke të Evzonit, ose të zgjedhin pikën e Kakavijës, pikë e cila sipas autoriteteve greke, tashmë ka kaluar në alarm të kuq, për të përballuar fluksin por edhe për të penguar këta persona të shtrijnë aktivitetin e tyre.

Njoftimi

Autoritetet e Policisë Greke, në bazë të një njoftimi zyrtar që i kanë dërguar Policisë Kufitare Kapshticë, sqarojnë se në zbatim të vendimit të qeverisë greke për marrjen e masave, mbi përballimin e situatës së krijuar për shkak të pandemisë COVID-19, prej datës 20.11.2020, ora 06:00 e mëngjesit, deri në datën 04.12.2020, Pika e Kalimit Kufitar Kapshticë, do të jetë e bllokuar dhe nuk do të lejohet lëvizja e këmbësorëve dhe e mjeteve (vetura, autobusa dhe kamiona) si në hyrje dhe në dalje të Greqisë.

Policia Kufitare e Kapshticës, iu bën thirrje të gjithë qytetarëve që duan të udhëtojnë drejt Greqisë, që gjatë këtij harku kohor, të shmangin udhëtimin në drejtim të kësaj pike kalimi.

Përgjatë aksit rrugor Korçë-Kapshticë, do të ketë forca policie të cilat do të mbikqyrin situatën dhe nuk do të lejojnë kalimin e mjeteve, në drejtim të Kapshticës.

Duke ju falenderuar për bashkëpunimin.

Top Channel