Një basketbollist me origjinë shqiptare, në nivelin më të lartë të basketbollit në botë. Ndodh për herë të parë, prej këtij sezoni me 19-vjeçarin Deni Avdija që do të luajë në NBA.

Avdija, ka lindur në Izrael, atje ku është rritur dhe është formuar si basketbollist profesionist duke luajtur për skuadrën e mirënjohur të Makabi Tel Aviv.

Lidhja e tij me origjinën shqiptare vjen nga i ati, Zufer Avdija, i cili ka lindur në Prishtinë në vitin 1959 dhe është trajner dhe ish-basketbollit i mirënjohur që ka luajtur për përfaqësuesen serbe dhe skuadrën e Crvena Zvezdës.

Djali i tij, Deni Avdija ishte pjesë e draftit të vitit 2020 në NBA, listës së një numri të madh lojtarësh të rinj, të huaj apo nga kolegjet amerikane të cilat furnizojnë çdo vit ekipet elitare të basketbollit amerikan.

I vëzhguar prej kohësh dhe i vlerësuar për arritjet dhe çmimet e marra në Izrael, Avdija ishte me fat teksa u përzgjodh nga një emër i madh i basketbollit amerikan siç është Washington Wizards.

Deni Avdija është vëzhguar për herë të parë në vitin 2016 nga menaxherët e Wizards, të cilët e kanë piketuar dhe së fundi kanë vendosur ta bëjnë pjesë të tyre. 19-vjeçari me origjinë shqiptare realizon kështu ëndrrën e tij më të madhe të një basketbollisti të ri, teksa është gati të tregojë vlerat mes shumë emrash të mëdhenj në etapën më të rëndësishme të karrierës.

Ai është djali i basketbollistit të njohur të Crvena Zvezdës dhe shumë skuadrave të tjera në Izrael, Zufer Avdija. Zufer u lind në Prishtinë në vitin 1959 dhe është me prejardhje gorane dhe i fesë myslimane. Si 15-vjeçar ai kishte luajtur shkurtimisht si portier për ekipin e të rinjve të Prishtinës, Ramiz Sadiku.

Ndërkohë, Deni, i cili ka nënë izraelite dhe e përfaqëson kombëtaren e Izraelit në basketboll, ka ngjallur reagime me komentet e tij, pasi u zgjodh nga Wizards për ta vazhduar karrierën. “Izraeli nuk i ka dhënë shumë lojtarë NBA-së dhe do të jetë nder i madh që e përfaqësoj vendin tim. Jam i ngazëllyer dhe dëshiroj ta përmirësoj lojën time”, tha Avdija pasi u zgjodh.

“Babai im është Zufer Avdija, ai u lind në Kosovë. Ai ka qenë lojtar i Kombëtares së Jugosllavisë dhe ka luajtur për shumë klube në Izrael, po ashtu”, tha Dani për babanë e vet./gazetashqip/

Top Channel