Burime të sigurta në ministrinë Greke të Mbrojtjes së Qytetarit, thanë mbrëmjen e së enjtes se organizata që fabrikonte teste negative covid të falsifikuara, është përgjegjëse edhe për bllokimin e sistemit, pra platforma që plotësohet për kalimin në kufi.
Burimet ekskluzive, i thanë Top Channel, se kjo organizatë e ka qendrën në zonën e Korçës dhe prej këtij aktiviteti ka përfituar shuma të mëdha parash.
Shërbimet greke kanë evidentuar se prej të paktën dy pikave në qytetin e Korçës, anëtarë të organizatës rezervonin platforma me të dhëna jo të sakta, të cilat në vazhdim, pasi i korrigjonin, ua shisnin udhëtarëve që dëshironin të kalonin nëpër doganën e Kapshticës me destinacion Greqinë.
Të paktën 9000 platforma janë evidentuar si të falsifikuara, çka ka bërë që dogana e Kapshticës të ketë plotësuar numrin prej 300 vetë në ditë,edhe për muajt e ardhshëm.
Autoritetet thonë se nuk mund të bëjnë asnjë veprim, pasi organizata ka mbrojtjen e personave me pushtet në zonën e Korçës.
Duket se organizatorët kanë pasur mbështetjen e policisë shqiptare, të cilët dyshohet se janë pjesë e organizatës.
Burime policore greke thanë se edhe pse kanë lajmëruar kolegët shqiptarë lidhur me situatën, asgjë nuk ka ndryshuar.
Madje, situata është përkeqësuar dhe me ardhjen e dimrit, parashikohet që kjo doganë të vazhdojë të qëndrojë e mbyllur, pavarësisht se numri real i atyre që kalonin ishte në realitet më i vogël sesa 300 vetë që ishte kuota e lejuar.
Mbyllja e Kapshticës do të detyrojë banorët e Korçës të zgjedhin kalimin nëpërmjet Maqedonisë së Veriut dhe doganës greke të Evzonit, ose të zgjedhin pikën e Kakavijës, pikë e cila sipas autoriteteve greke, tashmë ka kaluar në alarm të kuq, për të përballuar fluksin por edhe për të penguar këta persona të shtrijnë aktivitetin e tyre.
Top Channel