Shqipëria që prej vitit 2014 ka miratuar një ligj për dedektivët privatë, që ndonëse nuk është një profesion i rregulluar deri tani ka funksionuar. Por, zhvillimet e ndryshme kanë bërë të domosdoshme një tjetër strukturë, që do rivalizojë Byronë Kombëtare të Hetimit.

Bëhet fjalë për një draft që ka mbërritur në parlament nga një grup deputetësh dhe është në fazën e diskutimit paraprak. Drafti parashikon ngritjen e Byrosë Private të Hetimit, duke e shoqëruar ligjin për dedektivët privatë me disa ndryshime.

Por çfarë parashikon ky propozim dhe hetimet që do të kryejnë dedektivët private?! Në draft thuhet se shërbimi i “Detektivit Privat” ofrohet nga subjekti privat i licensuar, i cili heton dhe jep informacion në lidhje me karakterin ose veprimet e një personi, ose natyrën e biznesit ose profesionit të një personi etj.

Kontrollon shkelësit kundër ligjit ose personat e humbur ose pronën. Kryen blerje ose shërbime të tjera në rroba civile ose të thjeshta për një klient, me qëllimin e raportimit ndaj klientit për sjelljen, integritetin ose besueshmërinë e punonjësve të klientit ose personave të tjerë.

Kryen shërbime në rroba civile ose të thjeshta për parandalimin ose zbulimin e vjedhjeve. Sipas argumentimit të deputetit iniciues Selami Jenisheri se përse nevojitet dedektivi privat ai e gjen problemin tek strukturat shtetërore aktuale të hetimit.

“Ndjehet një vakum, lidhur me shume raste të pazbardhura apo pushime të njëpasnjëshme të çështjeve për mungese provash. Pavarësisht, hetimet e kryera lënë për të dëshiruar. Kjo mungesë apo dobësi në hetim, në mbledhjen e provave dhe fakteve të ndryshme shpie gradualisht në hapësirën e shumëpërmendur të korrupsionit në këto mekanizma shtetërore. Për këtë arsye, organizimi dhe funksionimi i profesionit të detektivit privat konsiderohet një domosdoshmëri për realitetin shqiptar dhe jo vetëm. Ka ardhur koha, që ky zinxhir hetimi të plotësohet me të gjitha hallkat e tij ligjore, në mënyrë që të mundësohet avancimi i sundimit të ligjit, eleminimi i korrupsionit dhe ndërgjegjësimi i qytetarëve për të zbatuar ligjin, si dhe besimi te ky i fundit të kthehet në një realitet të prekshëm”, thotë Jenisheri.

Aktualisht në vendin tonë, hetimet në rrugë private të cilitdo apo të paautorizuara nga prokuroria e gjykata quhen shkelje e ligjit dhe ndërhyrje në jetën private dhe në  të dhënat personale dhe janë vepër penale e dënueshme.

 

Top Channel