Si një makth pa mbarim duket vala e dytë e pandemisë në Greqi dhe sidomos në Selanik, ku janë regjistruar për herë të parë 905 raste në 24 orët e fundit, nga 3209 që janë konstatuar gjithësej në gjithë vendin.
Në hartën e kuqe të të prekurve edhe Athina me 564 raste, Larisa me 207, Pella me 166, Imathia me 111 dhe Kilkizi me 101. Sipas organeve të Shëndetësisë shpërndarja e viruist bëhet kaq shpejt gjatë muajit nëntor sa për vetëm tre javë është dyfishuar numri i të prekurve duke shkuar në mbi 82000.
Gjithashtu i lartë vazhdon të mbetet edhe numri i viktimave ditore pasi përsëri 60 persona kanë humbur jetën duke e çuar në total numrin e vdekjeve në 1288. Sipas disa specialistëve vendas në bazë të përqindjes së prekshmërisë që ka arritur koronavirusi, pra mbi 0.15% deri tani, pritet që numri i viktimave të rritet shumë shpejt gjatë dy-tre muajve të ardhshëm.
Tepër alarmant është përsëri edhe fakti i rritjes të të intubuarve, që kanë shkuar në 480 pacientë. Sipas ministrit të Shëndetësisë Vasilis Kikilias hyrja e vendit në sezonin e dimrit nuk ndihmon, megjithëse Greqia ka bilanc më të mirë se ai që paraqesin vendet europiane, presioni mbi sistemin e saj spitalor është i jashtëzakonshëm.
Ministri grek ka paraqitur madje edhe planin për vaksinimin e popullsisë duke sqaruar se janë tashmë gati 1018 qendra në gjithë vendin që do të kryejnë vaksinën për 2.1 milion grekë në muaj, sapo ajo të jetë e disponueshme, duke u respektuar rradha e procedurës: në fillim personeli mjeksor, me pas grupmoshat e rrezikut të lartë dhe në fund gjithë popullsia.
Top Channel