Thaçi, Selimi, Krasniqi e Veseli paraqiten sot për herë të dytë para Gjykatës Speciale në Hagë

18/11/2020 09:08

Prokuroria e Specializuar në Hagë pretendon se ka gati 100.000 prova në mbështetje të aktakuzës së saj kundër ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ajo thotë se ka 153 dëshmitarë, shumicën e të cilëve do t`i përdorë gjatë gjykimit. Prokuroria, po ashtu sqaron se materiali mbështetës për aktakuzën e paraqitur për konfirmim, llogaritet në më shumë se 40 mijë faqe.

Sot në Dhomat e Specializuara mbahet konferenca statusore në çështjen e ngritur ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veselit, ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit dhe ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimit. Kundër tyre është konfirmuar aktakuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ndërkohë në një njoftim të bërë nga Dhomat e Specializuara thuhet se konferenca do të nis me 45 minuta vonesë.

“Transmetimi i Konferencës për ecurinë e çështjes në çështjen kundër Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit, e cila do të mbahet sot në orën 11:00, do të bëhet me një vonesë prej 45 minutash”, thuhet në njoftim.

Të gjithë, aktualisht gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm. Konferencën statusore, apo konferencën mbi ecurinë e çështjes e thirri gjykatësi i procedurës paraprake dhe ajo ka për qëllim organizimin e shkëmbimeve midis palëve. Në këtë konferencë pritet që prokuroria të tregojë më saktësisht se c`lloj provash disponon.

Në dosjen 43 mijë faqëshe sipas saj ka raporte, deklarata të dëshmitarëve, fotografi dhe mbi 20 orë material audio-vizual. Prokuroria e akuzon Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin për kryerjen e krimeve të luftës ndaj qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë aktive në luftime.

Ajo pretendon se viktimat ishin kryesisht njerëz që gjatë kohës së luftës perceptoheshin si bashkëpunëtorë të forcave serbe, të zyrtarëve apo institucioneve shtetërore apo edhe që nuk mbështesnin qëllimet e UÇK-së. Kjo, sipas aktakuzës, përfshinte edhe personat e lidhur me Lidhjen Demokratike të Kosovës – LDK dhe persona të etnisë serbe, rome dhe etnive tjera”.

Top Channel