Presidenti Trump shkarkon kreun e agjencisë për sigurinë e zgjedhjeve

18/11/2020 05:05

Presidenti Donald Trump shkarkoi të martën drejtorin e agjencisë federale që garantoi besueshmërinë e zgjedhjeve të vitit 2020.

Zoti Trump shkarkoi drejtorin e Agjencisë për Sigurinë Kibernetike dhe të Infrastrukturës, Christopher Krebs me një postim në Twitter, duke thënë se deklarata e tij e fundit në mbrojtje të sigurisë së zgjedhjeve ishte “shumë e pasaktë”.

Shkarkimi i zotit Krebs, një i emëruar i zotit Trump, vjen pasi presidenti po refuzon të pranojë fitoren e Presidentit të zgjedhur, demokratit Joe Biden dhe po largon nga detyra zyrtarë të nivelit të lartë që i konsideron si jo besnikë sa duhet. Ai pushoi nga puna Sekretarin e Mbrojtjes Mark Esper më 9 nëntor, pjesë e ndryshimeve më të gjera që vendosën besnikët e zotit Trump në pozicione të larta të Pentagonit.

Zoti Krebs, një ish-ekzekutiv i Microsoftit, drejtoi agjencinë e njohur si CISA, që nga krijimi i saj pas ndërhyrjes ruse në zgjedhjet 2016 deri në zgjedhjet e nëntorit. Ai u vlerësua nga të dyja krahët e politikës ndërsa CISA bashkërendonte përpjekjet federale, shtetërore dhe lokale për mbrojtjen e sistemeve zgjedhore nga ndërhyrjet e huaja ose të brendshme.

Ai nuk pati ndonjë prirje për të rënë në sy, megjithëse shprehu besim përpara votimeve të nëntorit tek siguria e zgjedhjeve dhe më pas, hodhi poshtë akuzat se numurimi i votimeve ishte shoqëruar me mashtrime. Disa herë, ai u duk se po e kundërshtonte drejtpërdrejt zotin Trump, një lëvizje befasuese nga një zyrtar i Departamentit të Sigurisë Kombëtare, një agjenci që ka ngjallur kritika se është shfaqur se ishte shumë e afërt me synimet politike të presidentit.

CISA lëshoi deklarata ku hidhte poshtë pretendimet se një numër i madh të vdekurish rezultonin si votues ose që dikush mund të ndryshonte rezultatet pa u diktuar. Ai gjithashtu shpërndau një deklaratë nga një koalicion zyrtarësh federalë dhe shtetërorë duke arritur në përfundimin se nuk kishte prova që votat ishin komprometuar ose ndryshuar në zgjedhjet e 3 nëntorit dhe se këto votime ishin më të sigurtat në historinë amerikane.

Zoti Krebs shmangu kritikat e drejtpërdrejta ndaj presidentit dhe u përpoq të qëndronte mbi grindjet politike, megjithëse ai u përpoq të kundërshtonte dizinfromatat që vinin nga presidenti dhe mbështetësit e tij. “Nuk është detyra jonë të kontrollojmë vërtetësinë e asaj që thotë presidenti,” tha ai në një konferencë me gazetarët në prag të zgjedhjeve.

CISA punon me zyrtarë shtetërorë dhe lokalë që menaxhojnë zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara si dhe me kompani private që sigurojnë pajisjet e votimit për të garantuar sigurinë kibernetike dhe rreziqe të tjera gjatë monitorimit të votimit dhe numërimit të votave nga një dhomë kontrolli në selinë e saj pranë Uashingtonit. Agjencia punon gjithashtu me industrinë dhe shërbimet për të mbrojtur bazën industriale të vendit dhe rrjetin e energjisë nga kërcënimet.

Agjencia gëzon një reputacion të mirë mes autoriteteve që u shërben – shtetit dhe zyrtarëve lokalë të zgjedhjeve që mbështeten në këshillat dhe shërbimet e saj në një kohë sulmesh kibernetike pothuajse të vazhdueshme – si dhe në Kongres, ku ligjvënësit kohët e fundit propozuan një rritje të buxhetit të saj vjetor prej rreth 2 miliardë dollarë.

Mes njoftimeve të fundit se zoti Krebs kishte frikë se mund të pushohej nga puna, kongresmeni Bennie Thompson, kryetar i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Sigurinë Kombëtare, kishte thënë se ishte i shqetësuar dhe i dërgoi një mesazh drejtorit për ta pyetur nëse ishte mirë. Përgjigja ishte,, “tani për tani”, tha demokrati nga Misisipi.

“Është për të ardhur keq nëse dikujt me një talent të tillë i mbyllet goja,” tha zoti Thompson. “Nuk kam parë asnjë prirje partiake tek ai. Ai ka qenë një profesionist i përkryer.” Kongresmeni Jim Langevin, një demokrat nga Rhode Island i cili merret me çështjet e sigurisë kibernetike, u kishte bërë thirrje kolegëve të tij republikanë që ta mbronin atë para se të hiqej nga posti.

“Chris Krebs dhe CISA kanë punuar aq mirë nën udhëheqjen e tij sepse ai dhe ekipi i tij thjesht kanë bërë punën dhe nuk u morën me politikë partiake,” tha Langevin. Agjencia kishte pasur fillime të vështira. Pak përpara se Presidenti Barack Obama të largohej nga zyra, Shtetet e Bashkuara i përcaktuan sistemet zgjedhore si infrastrukturë kritike të sigurisë kombëtare, si digat ose termocentralet, si rezultat i ndërhyrjes nga Rusia, gjë që përfshinte depërtimin e sistemeve të zgjedhjeve shtetërore si dhe dizinformimin masiv.

Disa zyrtarë të zgjedhjeve në shtete dhe republikanët, duke dyshuar për ndërhyrje federale në territorin e tyre, ishin kundër këtij kategorizimi. Shoqata Kombëtare e Sekretarëve të Shtetit miratoi një rezolutë në kundërshtim me lëvizjen në shkurt 2017. Por administrata e Presidentit Trump mbështeti përcaktimin dhe përfundimisht zyrtarët skeptikë të shteteve e mirëpritën ndihmën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA