“Mbrojtja është e njohur me çështjen, nuk është befasi për ta”, Avokati i Veselit dhe Thaçit kundër: Absurde!

18/11/2020 12:16

Prokurorja e Speciales në seancën për ecurinë e çështjes për ish-krerët e UÇK-së, ka thënë se procesi i hetimeve është në vazhdim e sipër.

Ajo ka thënë se mbrojtjes brenda tre javëve do t’u dorëzohet një vëllim i mjaftueshëm i materialeve.

“Synojmë të ndjekim urdhërim e juaj për masa mbrojtëse. Mbrojtja ka informacion të bollshëm për të filluar hetimet menjëherë, ua kemi bërë të ditur afatin për nxjerrjen e materialeve. Mbrojtja është e njoftuar me çështjen dhe kjo nuk është befasi për ta”, u shpreh Prokurorja e ZPS-së.

Ajo shtoi se për mendimin e ZPS-së, nuk ka asnjë pengesë që gjykimi të filloj në verën e vitit 2021.

Por avokatët nuk ishin dakord. Avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson kundërshtoi duke thënë: Gjyqi nuk mund të fillojë deri në qershor 2022, madje dhe atëherë është shumë herët.

Prokurorja tha ju i dini akuzat, absurde, jo ne nuk i dimë, sepse ato janë false, nuk e di sa prokuroria e di që ato janë false, ne duam një raport forensik të tyre.

Po ashtu edhe avokati mbrojtës i ish-presidentit Hashim Thaçi, David Hooper ka kërkuar nga Gjykata Speciale që gjykimi i palëve nuk duhet të filloj në verën e vitit 2021.

“Në lidhje me çështjen që po trajtojmë dhe me komentin e fundit, ‘se nuk do të jetë një befasi’, të gjithë nuk kemi filluar me trajtimin e çështjes në kohën kur ka filluar prokuroria. Prokuroria ka kryer hetime të gjatë mbi pesë vjet dhe ka pas në dispozicion materiale që janë vënë ne dispozicion nga hetimet tjera. Prokuroria i ka kryer hetimet tjera para fillimit të COVID-19. Duhet të merret parasysh që jemi në kohë COVID dhe na duhet 18 muaj për të filluar të mendojmë për fillimin e gjykimit. Absolutisht absurd fillimi i gjykimit në shtator, ndoshta një vit më pas e jo vitin e ardhshëm”, ka thënë ai.

Ai po ashtu theksoi se edhe redaktimet e aktakuzës nuk janë në formatin adekuat pasi në disa raste nuk jepet dita dhe data e rasteve.

“Këto vlerësime të afërt janë diskutuar dhe me kolegët e tjerë. Kur ke përpara një aktakuzë që është e redaktuar në një fjali ku nuk jepet dita dhe data, kjo nuk është një format adekuat, redaktimi duhet të jetë në një shkallë më të vogël dhe material duhet të jetë i hapur për mbrojtjen”, ka thënë ndër të Hooper.

Top Channel