Të martën e kësaj jave, Departamenti i Administratës Publike miratoi urdhrin që specifikonte rregullat standarde të punës të harmonizuara gjatë periudhës së pandemisë së COVID-19, ku ndër të tjera jep edhe mënyrën se si do organizohet puna në distancë dhe në zyrë nga administrata.
Sipas Departamentit të Administratës Publike, gjatë periudhës së gjendjes së epidemisë, institucionet e administratës shtetërore janë të detyruara të realizojnë veprimtarinë e tyre nëpërmjet kombinimit të punës në ambientet e institucionit dhe telepunës (puna në distance online).
Për realizimin e detyrimit të përcaktuar në pikën I, të këtij neni, institucionet e administratës shtetërore duhet të përcaktojnë në mënyrë të detajuar dhe të qartë grafikun e nëpunësve që do të punojnë në ambientet e institucionit dhe të atyre që do të kryejnë detyrat nëpërmjet telepunës. Grafiku duhet të miratohet nga Sekretari i Përgjithshëm përkatësisht për kryeministrinë dhe ministritë e linjës dhe nga titullari i institucionit për institucionet e varësisë.
Sa i takon punonjësve në institucione urdhri sanksionon se duhet të ruhet distanca 2 metra ndërsa për ata që do të punojnë në distancë do të duhet të plotësojnë disa kritere lidhur me profilet që kanë.
Po kështu këta të fundit duhet të jenë në dispozicion të eprorit të tyre gjatë gjithë orarit të punës. Po kështu punonjësit në distancë duhet të jenë të aksesueshëm online në çdo moment gjatë orarit të punës ndërkohë që do të kenë thirrje në ekip të paktën një herë në ditë dhe të informojnë për realizmin e detyrave të tyre.
DAP sjell në vëmendje se pavarësisht se do të aplikohen masat si për punën nga zyra edhe nga shtëpia ajo që duhet të mbahet parasysh nga institucionet është ofrimi i shërbimeve për publikun.
“Institucionet e administratës shtetërore duhet të garantojnë ofrimin e shërbimeve ndaj publikut gjatë gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga COVID-19, duke hartuar një plan masash për të minimizuar kontaktin midis qytetarëve dhe nëpunësve/punonjësve dhe për të shmangur grumbullimin e tyre në sportele apo ambiente të tjera të brendshme. Plani i masave duhet të përfshije rastet e ofrimit të shërbimeve online, duke shfrytëzuar përdorimin e mjeteve te komunikimit elektronik për të nxitur qytetarët ti përdorin”, thuhet në urdhër.
Top Channel