Xhirafa e vetme e bardhë e mbetur në botë është pajisur me gjurmues GPS për ta mbrojtur nga gjuetarët ilegalë në Kenia.
Xhirafa e bardhë mashkull është tashmë e vetmja e variantit të saj gjenetik pas vrasjes në mars të femrës së bardhë e këlyshit të saj nga gjuetarët.
Megjithë statusin e tij të ri unik, mashkulli nuk ka ende një emër.
Një gjurmë e rrallë gjenetike e quajtur leucizëm shkakton ngjyrën e bardhë te xhirafat e cila i bën në mënyrë të rrezikshme shumë të dallueshme për gjuetarët ilegalë, mes bimësisë së ulët të Savanës pranë kufirit me Somalinë.
Por tashmë gjurmuesi GPS i ngjitur në një prej brirëve të xhirafës do të sinjalizojë çdo orë rojet e botës së egër për vendndodhjen e saj.
Ndërkohë trupat e xhirafës së vetme femër dhe këlyshit të saj ishin gjetur të dekompozuar në mars, pasi ishin vrarë nga gjuetarët ilegalë në rajonin e Garissa në lindje të Kenias.
Mashkulli i mbetur ka lindur në të njëjtën kohë me femrën e vrarë.
“Vrasjet ishin një goditje e rëndë ndaj përpjekjeve të komunitetit për ruajtjen e specieve unike dhe përpjekjet e konservimit në përgjithësi”, tha Mohammed Ahmednoor, derjtues i projektit të konservimit.
Xhirafa e bardhë femër tërhoqi shumë interes kur u pikas fillimisht në 2017, dhe më vonë kur ajo lindi dy këlyshët e saj.
Ngjyra e tyre nuk shkaktohet si zakonisht nga gjendja e albinizmit, por nga gjenetika e leucizmit, e cila i lejon të prodhojnë pigmente të errëta në indet e tyre më të buta, siç janë sytë e zinj që zotërojnë.
Fondacioni i Ruajtjes së Xhirafave thotë se numri total i tyre në Afrikë ka rënë me 30 për qind që prej viteve 1980-të, dhe në disa zona me 90 përqind.
Top Channel