Policia nis hetimet pas djegies së bilbordit në Graçanicë

17/11/2020 11:46

Në Kishnicë, e cila gjendet në territorin e Komunës së Graçanicës, është djegur një bilbord me mbishkrimin “Liria ka Emër, UÇK”.

Këtë e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, komandanti i Stacionit të Policisë në Graçanicë, Bratislav Trajkoviq.

“Ekipet e policisë janë në vendin e ngjarjes dhe hetimet po vazhdojnë”, tha ai.

Kishnica që gjendet në magjistralen Prishtinë-Gjilan, është e banuar me shumicë shqiptare, mirëpo bën pjesë në territorin e Graçanicës, e cila është njëra ndër dhjetë komunat me shumicë serbe në Kosovë. Kryetar i saj është Sërgjan Popoviq nga Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës.

Popoviq më 16 nëntor kishte kërkuar heqjen e bilbordit “Liria ka emër, UÇK” në Kishnicë, pasi sipas tij, “banorët e Graçanicës ishin të shqetësuar”.

Popoviq pati thënë se “për incidentin e fundit ka biseduar me përfaqësuesit e policisë dhe se pas takimit raporti i policisë për këtë ngjarje do t’i dërgohet Ministrisë së Transportit, pasi ajo është pronare e tokës ku është vendosur bilbordi”.

Megjithatë, komandanti i Stacionit Policor në Graçanicë, Bratislav Trajkoviq, pohon se takimi me Popoviqin nuk ishte mbajtur, dhe as që ka pasur një kërkesë për takim të tillë.

Bilbordet me mbishkrimet “Liria ka Emër” janë vendosur në shumë pjesë të Kosovës, në kuadër të një fushate mbështetjeje ndaj ish-udhëheqësve të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndaj të cilëve Gjykata Speciale në Hagë ka ngritur aktakuzë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi dhe ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi gjenden në paraburgim në Hagë.

Në faqen e saj në Facebook, “Liria ka Emër”, thuhet se është nismë e një grupi vullnetmirë për të nisur një debat rreth historisë së re të Kosovës dhe nevojës së një kujtese kolektive gjithpërfshirëse në rrugëtimin e një krenarie kolektive në të ardhmen. Këtë nismë, sipas profilit të saj në Facebook, e përbëjne Burbuqe Berisha – regjisore, Eliza Hoxha – artiste dhe deputete e PDK-së, Fatmir Spahiu, aktor dhe regjisor, Festim Arifi – këngëtar, Ismail Tasholli – filozof dhe Visar Kryeziu – fotograf.

Top Channel