Foto ilustruese

A duhet të ashpërsohen masat e tanishme detyruese për të penguar përhapjen e pandemisë së koronës, apo mjaftojnë vetëm thirrjet për të treguar kujdes drejtuar qytetarëve?

Kjo vazhdon të mbetet një çështje konflikti në diskutimet e mes kancelares Angela Merkel dhe kryeministrave të landeve.

Edhe sot (16.11.) qeveritë e landeve dhe qeveria federale nuk arritën të bien dakord për hapat e mëtejshme lidhur me pandeminë e koronës pas përfundimit të muajit nëntor.

Takimi u zhvillua për të përcaktuar nëse masat e mëtejshme do të kenë vetëm karakterin e rekomandimeve dhe të thirrjes që do t’u bëhet qytetarëve apo karakter detyrues. Disa prej kryeministrave të landeve gjermane, si p.sh. Armin Laschet, kryeministër i landit NRW, janë pro kufizimit të kontakteve, sepse masa të tilla rezultuan të efektshme gjatë muajit mars.

Por gjatë video-konferencës me kancelaren Angela Merke (CDU), disa nga kryeministrat e landeve u përpoqën t’i zbusin masat për kufizimet e reja të kontakteve të propozuara nga qeveria federale për të frenuar përhapjen e virusit korona. Në këtë mënyrë propozimet thelbësore të qeverisë federale ose nuk janë përfshirë në masat që do të merren ose janë formuluar vetëm si apel dhe rekomandime dhe jo si masa të detyrueshme.

Për shembull kërkesa që fëmijët dhe adoleshentët të takohen në kohën e lirë vetëm me një shok ose shoqe nuk është përfshirë në rregullat e reja. Po ashtu “qytetarëve”  vetëm u bëhet thirrje të heqin dorë plotësisht nga festat private dhe ato nuk ndalohen. Edhe kërkesa tjetër e qeverisë federale që në mjedise publike të lejohen takimet vetëm me të afërmit dhe maksimumi me dy persona të një familjeje tjetër, përmendet në dokumentin e masave të reja për koronën vetëm si apel që u bëhet qytetarëve që të veprojnë në këtë mënyrë dhe jo si masë detyruese.

Nga mesi i javës së ardhshme pritet të zhvillohet një takim tjetër i të njëjtit nivel për të diskutuar nëse masat e pjesshme kufizuese do të zgjaten edhe përtej nëntorit, nëse ato do të përforcohen, ose do të shfuqizohen./DW

Top Channel