Në këmbim… Eriksen! Xhaka në merkato, “josh” Interin

17/11/2020 14:29

Mesfushori shqiptar i kombëtares zvicerane të futbollit, Granit Xhaka ka qenë në muajt e fundit shumë pranë largimit nga Arsenali.

Përplasjet në disa raste me tifozët dhe humbja e vendit titullar duket se janë lënë pas, por dëshira e tij për të provuar një kampionat të ndryshëm, duket se është shtuar. Tani lojtari i përfaqësueses helvetike është në negociata me Interin, si pjesë e një shkëmbimi me Eriksen që për momentin diskutohet vetëm virtualisht.

Dopieta e Kristian Eriksen me penallti luajti në favor të Interit së fundmi në  Ligën e Kombeve. Danezi nuk është se do të ketë më shumë shanse te zikaltërit pasi luajti 7 nga 10 ndeshjet zyrtare, 4 si titullar pa lënë gjurmë. Por prova me kombëtaren e tij kundër Islandës ndoshta do ta bëjë më të lehtë largimin potencial.

Ndër skuadrat që mund të mirëpresin Eriksen është sigurisht Arsenal. Kalimi te Gunners do ta lejonte danezin të rikthehej në Londër në një ligë që e njeh mirë dhe ndoshta mund të lejojë që Inter të ketë një kundërpeshë teknike me vlera të mëdha si Granit Xhaka. Në dy ndeshjet e fundit të Premier League ai është ulur në stol, por ka luajtur në Europa League.

Me këtë ritëm ai nuk do të mund të ishte në kombëtare për Europianin e verës së ardhshme. Operacioni nuk është i lehtë, sepse mbetet për t’u parë nëse të dy skuadrat do të gjejnë një marrëveshje. Xhaka nuk i ka karakteristikat e Kanté, atë që do të donte Conte përpara mbrojtjes, por në skemat virtuale të teknikut sigurisht që duket më i dobishëm se Eriksen.

Top Channel