Të gjithë qytetarët që janë ndëshkuar nga policia me gjobë për mosmbajtjen e maskës, do të mund ta paguajnë atë duke nisur nga fundi i dhjetorit, me faturën e energjisë elektrike, pasi udhëzimi i qeverisë ka parashikuar që kjo gjobë të vilet nëpërmjet OSHEE-së.

Pra fatura e re do të ketë edhe një zë të shtuar, atë të masës administrative për mosrespektimin e rregullave AntiCovid.

Aktualisht policia e shtetit ka ndëshkuar rreth 23 mijë qytetarë, me nga 30 mijë lek të vjetra, prej të cilave në OSHEE, janë depozituar rreth 9154 gjoba. Sipas administratorit të Furnizuesit të Shërbimit Universal, Elton Sevrani, një pjesë e gjobave i janë kthyer policisë për verifikime.

“664 janë me problematika në kartën e identitetin, nga vlerësimi paraprak. Ndërkohë nga vlerësimi i dytë i thelluar ku shikohet korrespodenca ndërmjet mbajtësit të gjobës dhe faktit nëse ky ka kontratë furnizimi me energji elektrike me FSHU-në, kemi evidentuar rreth 712 raste ku personat nuk kanë kontratë furzniznimi. Kjo i kthehet policisë së shtetit, me shënimin qytetari nuk ka kontratë me FSHU”.

Sipas udhëzimit, gjoba e integruar në faturën e energjisë, paguhet së bashku me këtë të fundit. Në rastet kur qytetari nuk e paguan faturën, pasi kalojnë dy muaj, rrezikon t’i ndërpritet energjia elektrike.

“Në rastet kur individi apo abonenti ka një gjobë për mos-vendosjen e maskës, janë një detyrim i përbashkët, pra duhen paguar së bashku në të gjitha pikat e OSHEE-së, bankat e nivelit të dytë apo kanalet alternative të pagesës. në një moment pasi kalojnë 60 ditë nga emetimi i faturës dhe nuk është realizuar pagesa e plotë e faturës, pra energji plus gjobë, ai mund të shoqërohet edhe me ndërprerjen e energjisë elektrike”.

Gjoba për mosmbajtjen e maskës, sipas OSHEE, nuk do të ketë kamatë, në rast vonese të pagesave.

“Por kjo nuk do të thotë që kamata nuk do të rritet, pra nuk do të rikalkulohet për pjesën e energjisë elektrike. në fund fare fatura do të ketë kamatë, por që i takon pjesë së energjisë elektrike”.

Top Channel