Pas situatës dhe dëmeve të krijuara nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit të kaluar , si dhe shëmbja e pallatit në Durrës si pasojë e mbingarkesës me depozitat e ujit mbi tarracë Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi vendimin për heqjen nga tarraca e pallateve depozitat e ujit, me qëllim parandalimin e ngjarjeve të rënda.

Nuk janë harruar pamjet e rënda të pallatit në Durrës që pësoi dëme të jashtëzakonshme nga shembja e depozitave, të cilat shkatërruan plotësisht zonën e shkallëve, duke u bllokuar banorëve edhe daljen nga ndërtesa. Por ende edhe sot kjo situatë vazhdon.

Fiks Fare solli ankesën e disa banorëve si në Tiranë, por edhe në Kuçovë në lidhje me problematikat që hasin nga depozitat e ujit në tarracë dhe vështirësitë që gjejnë në zbatimin e ligjit.

Banorët e një pallati tek rruga ‘Bardhok Biba’ në Tiranë ankohen se po ‘flenë’ çdo natë me rrezikun mbi kokë. Ata kanë 22 depozita me rreth 10 tonë ujë mbi tarracën e pallatit dhe kërkojnë që t’u hiqen, pasi përveç frikës së tërmeteve, ata kanë lagështi në shtëpitë e tyre. Më problem këtë e kanë katet e fundit të pallateve, të cilët kanë tarracën sipër. Banorët shprehen se me lekët e tyre e kanë izoluar dy herë tarracën, por situata vazhdon.

I gjithë problemi është se pallati është ndërtim i para viteve ’90 dhe nuk ka administrator, ndaj dhe banorët nuk bien në një mendje për heqjen e këtyre depozitave. Majde njëra prej banoreve tregon se ka shkruar 3 letra ankesë drejt Bashkisë Tiranë, por si përgjigje ka marrë të mos hiqen depozitat. Për këtë arsye gazetarët e Fiksit pyetën në Bashkinë Tiranë. Drejtori i Përgjithshëm i Objekteve në Bashkëpronësi z. Aurel Çuko u shpreh se vendimi i marrë nga Këshilli Bashkiak ishte për heqje të menjëhershme dhe të përkohshme të depozitave.

Heqje e përkohshme të depozitave do të thotë se administratori ose Asambleja e Bashkëpronarëve, duhet të përzgjedh një ekspert të licensuar strukturor i cili do të bëj raportin që struktura mund t’i mbajë këto depozita apo jo.

“Për pallatet të cilat që nuk kanë administrator është një problematik shumë e madhe, dhe bëhet fjalë për 1500 pallate të ndërtuara para viteve 1992. Në muajt janar shkurt kemi bërë një fushat sensibilizuese duke dërguar në mënyrë shkresorë te të gjithë këta banorë për t’u njohur me të gjitha detyrimet që kanë për të bërë akt ekspertizë nga një ekspert i licensuar. Kjo fushat filloi në periudhën janar – shkurt, por që u stopua nga pandemia” u shpreh z. Çuko.

Ai pohon se me përfundimin e pandemisë do të rifilloj dhe procesi. Ky problem shtrihet edhe më gjërë në qytete të tjera, ku edhe në Kuçovë z. Kongres Bushi banor në katin e pestë të një pallati ankohet për depozitat e ujit që rrjedhin pa pushim. Në shtëpinë e tij mbizotëron lagështira edhe pse para dy viteve ka bërë meremetim të tarracës gjendja nuk ka ndryshuar. Ai ka problem se në pallatin ku jeton janë vetëm katër familje dhe nuk kanë administrator. Në bazë të ligjit komuniteti duhet ta rregulloj vetë, pasi është pronë private , por vetëm 4 familje nuk bëjnë dot gjë, ndaj kërkojnë edhe ndihmë në Fiks Fare.

Gazetarët e Fiksit edhe në këtë rast kërkuan një sqarim në Bashkinë Kuçovë. Nënkryetari i Bashkisë Kuçovë, Sybi Shehu u shpreh se është një shqetësim i njohur për ta, por që ligji e përcakton qartë se kur mund të ndërhyhet. Ai shprehet se banorët duhet të zgjedhin një administrator, në të kundërt duhen bërë shtesa nënligjore në ligj për rregullimin e pallateve.

Por ndryshe paraqitet problemi në Kamëz, ku nga tarracat e pallateve ka filluar heqja e depozitave dhe banorët për këtë gjë janë shumë falenderues. Vetë kryetari i Bashkisë Kamzë, Rakip Suli u shpreh për Fiks Fare se është ndërhyrë në 36 pallate dhe është mundësuar furnizimi me ujë 24 orë. “Nëse kishte 30 depozita sipër pallateve sot kemi një depozitë për një hyrje pallati dhe kjo bën furnizim me 24 orë ujë” përfundon kryetari Suli.

Top Channel