40 persona kanë humbur jetën gjatë 24 orëve të fundit nga Covid-19 në Maqedoninë e Veriut, numri më i lartë ky i viktimave të koronavirusit në vendin fqinj që prej fillimit të pandemisë.
Pas kryerjes së 1 683 testimeve, 591 persona rezultuan pozitivë, edhe ky një nivel rekord i infektimeve ditore. Autoritetet shëndetësore maqedonase presin që masat kufizuese që u vendosën para pak ditësh të japin rezultate lidhur me uljen e shkallës së të prekurve me COVID-19, por nga ana tjetër janë shtuar debatet sa i takon qasjes së autoriteteve ndaj sëmundjes; nëse këto masa janë të mjaftueshme apo nëse duhet të ashpërsohen.
Masat kufizuese kanë shkurtuar orarin e punës së restoranteve dhe kafeneve deri në orën 21, ndërsa ndalohet grupimi i më tepër se katër vetave në vende publike. Po ashtu, mbajtja e maskës është e detyrueshme edhe në ambiente të hapura. Por, këto vendime ende nuk i kanë ulur shifrat e personave të prekur. Sipas të dhënave zyrtare, në total në Maqedoninë e Veriut, 1305 persona kanë humbur jetën nga koronavirusi; mbi 47 mijë është numri total i të diagnostikuarve mbi 18 mijë janë raste aktive dhe 27 mijë rezultojnë të shëruar.
Grupmosha prej 30 deri 39 vjeç po ashtu rezulton të jetë më e infektuar nga koronavirusi. Nuk ka ndonjë shpjegim pse Maqedonia e Veriut qëndron në majë të listës në rajon për nga numri i të prekurve dhe viktimave.
Top Channel