A e frenoi pandemia krimin në Shqipëri? Vrasje, vjedhje, drogë dhe OFL, këto janë shifrat e 2020-ës

17/11/2020 10:35

Policia ka publikuar shifrat e kriminalitetit për 10 muajt e vitit 2020, ndërsa duhen edhe pak më shumë se një muaj, që të shënohet ikja kalendarike e këtij viti.

Edhe pse në një periudhë pandemie, e ku disa muaj kanë qenë në izolim të plotë nuk kanë munguar vrasjet, vjedhjet apo trafiqet. Një mision tjetër ka qenë Operacioni Forca e Ligjit, që ka dërguar kërkesa për sekuestrime në SPAK, në një numër të konsiderueshëm.

Niveli i vrasjeve për 100 mijë banorë është në 1.7 për 100 mijë, nga 1.2 që është mesatarja e BE-së, ndërsa krimi i “armëmbajtjes pa leje” ka njohur një rënie të theksuar, ashtu sikurse e njëjta gjë thuhet edhe për luftën kundër kanabisit.

Krerët e Policisë thonë se lufta ndaj kultivimit të drogës ka shënuar rezultatet më të larta në tre dekadat e fundit, të regjistruara në Shqipëri, ndërsa për vitin 2020 ka një reduktim të ndjeshëm të numrit të viktimave në aksidente rrugore.

Sipas shifrave, në periudhën janar-tetor u regjistruan 27 mijë e 727 vepra penale, 2 mijë më pak se një vit më parë. Në 2020 pati 332 krime në fushën e pasurisë, vetëm 1 rast vjedhje në banka. Lidhur me krimin në familje, shifrat janë më të ulëta se vitin e kaluar. Janë regjistruar 7 krime në familje nga në vitin 2019. Ndërsa krimi më i rëndë është ai i vrasjes ka shënuar 44 vrasje.

Për vitin 2020 janë 153 viktima nga aksidentet rrugore, 30 grupe kriminale në fushën e krimit të organizuar janë goditur në harkun e 10 muajve të këtij viti.

 

 

 

Top Channel