Arrihet marrëveshje, zhbllokohen llogaritë e Telekomit të Kosovës

16/11/2020 19:19

Janë zhbllokuar xhirollogaritë e Telekomit të Kosovës, pas një marrëveshje të arritur mes kësaj kompanie, Qeverisë së Kosovës dhe kompanisë Dardafon.

Marrëveshja është arritur pas ndërmjetësimit dhe garancionit të Qeverisë.

“Kjo marrëveshje për shlyerjen e borxheve ndaj Dardafon garanton funksionimin normal të koorporatës pa pasur brengën se llogaritë mund të bllokohen dhe zbrazen përsëri. Në bazë të kësaj marrëveshjeje Telekomi obligohet që brenda 24 muajve duke filluar nga 15 janari i vitit 2021 të shlyej komplet borxhin ndaj Dardafon, që është si rezultat i vendimit final të Gjykatës së Arbitrazhit dhe njohjes së këtij vendimi edhe nga gjykatat vendore”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit.

“Me këtë marrëveshje, borxhi i konfirmuar nga organet e drejtësisë do t’i paguhet operatorit privat në një periudhë disa-vjeçare, dhe nuk do të ketë më bllokim të llogarive nga përmbaruesit privatë. Kjo marrëveshje për zhbllokim të llogarive do të përcillet edhe nga një Marrëveshje Mirëkuptimi për Subvencionim të Kushtëzuar për Investime në operacionet vitale mes Qeverisë së Kosovës dhe Telekomit”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Të hënën, Punëtorët e Telekomit të Kosovës protestuat para objektit të qeverisë, duke kërkuar zhbllokimin e xhirollogarive të kompanisë, pasi ende nuk i kanë marrë pagat e muajit tetor.

Pse ishin të bllokuara xhirollogaritë e Telekomit?

Një marrëveshje e vitit 2009 me “Dardafon.net LLC”, i kishte mundësuar kompanisë Z-Mobile të ishte operator virtual i telefonisë mobile të operatorit mobil Vala, që funksionon në kuadër të Telekomit të Kosovës.

Mospajtimet mes palëve kishin nisur kur Z-Mobile ka kërkuar numeracion shtesë.

Çështja kishte shkuar në Arbitrazh dhe më pas Gjykata e Prishtinës kishte vendosur në favor të kompanisë Z-Mobile.

Kontrata në vazhdimësi është konsideruar si e dëmshme, por si e tillë ka zgjatur deri në korrik të vitit 2019, kur bordi i Telekomit të Kosovës pati marrë vendim për shkëputjen e saj.

Dardafon përmes përmbaruesit i ka bllokuar xhirollogaritë e Telekomit, pasi borxhi kishte arritur vlerën e mbi 25 milionë eurove.

Më 11 nëntor Besnik Krasniqi nga Ministria e Ekonomisë tregon se Z- Mobile, deri më tani ka arritur të marrë 6 milionë euro nga llogaritë e Telekomit.

Telekomi i Kosovës është ndërmarrje publike, e transformuar në shoqëri aksionare, në të cilën operon telefonia fikse dhe ajo mobile Vala.

Operatori Vala ka mbi 1.2 milionë konsumatorë në nivel vendi. Mbi 2,300 është numri i punonjësve në këtë kompani./REL/

Top Channel