Pesëmbëdhjetë vende kanë formuar bllokun më të madh tregtar në botë, duke mbuluar gati një të tretën e ekonomisë globale. Partneriteti Ekonomik Gjithëpërfshirës Rajonal (RCEP) përbëhet nga 10 vende të Azisë Juglindore, si dhe Koreja e Jugut, Kina, Japonia, Australia dhe Zelanda e Re.
Pakti shihet si një zgjerim i ndikimit të Kinës në rajon. Marrëveshja përjashton Shtetet e Bashkuara, e cila u tërhoq nga një pakt rival tregtar Azi-Paqësor më 2017. Presidenti amerikan, Donald Trump tërhoqi vendin e tij nga Partneriteti Trans-Paqësor (TPP) menjëherë pasi mori detyrën.
Marrëveshja do të përfshinte 12 vende dhe u mbështet nga paraardhësi i tij, Barack Obama, si një mënyrë për të kundërshtuar ndikimin e Kinës në rajon.
Negociatat mbi RCEP filluan më 2012. Marrëveshja u nënshkrua të dielën në kuadër të një samiti të organizuar nga Vietnami.
“Unë jam i kënaqur të them se pas tetë vjet pune të vështirë, që nga sot, ne kemi sjellë zyrtarisht negociatat RCEP në një përfundim”, tha kryeministri i Vietnamit Nguyen Xuan Phuc.
Pastaj, zyrtarët me radhë nënshkruanin kopjet e marrëveshjes dhe i tregonin ato në kamera në samitin virtual. Udhëheqësit shpresojnë se marrëveshja do të ndihmojë në nxitjen e rimëkëmbjes nga pandemia e koronavirusit.
“Nën rrethanat aktuale globale, fakti që RCEP është nënshkruar pas tetë vjet negociatash sjell një rreze drite dhe shprese”, tha kryeministri kinez, Li Keqiang. Ai e përshkroi marrëveshjen si “një fitore të multilateralizmit dhe tregtisë së lirë”.
India ishte gjithashtu pjesë e negociatave, por ajo u tërhoq vitin e kaluar për shkak të shqetësimeve se tarifat më të ulëta mund të dëmtonin prodhuesit vendas.
Nënshkruesit e marrëveshjes thanë se India mund t’i bashkohet paktit në të ardhmen. Anëtarët e RCEP përbëjnë gati një të tretën e popullsisë së botës dhe përbëjnë 29% të prodhimit të brendshëm bruto, shkruan REL. Blloku i ri i tregtisë së lirë do të jetë më i madh se marrëveshja SHBA-Meksikë-Kanada dhe Bashkimi Evropian.
Top Channel