Albin Kurti

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti deklaroi  se Qeveria e Kosovës duhet të angazhohet për mbrojtjen e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët po akuzohen nga Gjykata Speciale për krime lufte në Hagë.

“Në Hagë nuk janë duke u përndjekur vetëm individët, por as nuk mund të mbrohen të pandehurit sikur individë. Shteti i Kosovës duhet të organizojë dhe koordinojë mbrojtjen e të pandehurve. Ata i pamë se i kanë avokatët e tyre secili, por nevojitet bashkërendim nga shteti. UÇK-ja nuk ka qenë e asnjërit, por e të gjithëve dhe të gjithë duhet ta mbrojmë atë”, tha Kurti.

Në aktakuzën e Prokurorisë së Posaçme në Hag pretendohet se nga marsi i vitit 1998 deri në shtator të 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtar të tjerë të “ndërmarrjes së përbashkët kriminale kanë ndarë qëllimin e njëjtë për të marrë dhe ushtruar kontrollin në gjithë Kosovën me të gjitha mjetet, përfshirë edhe frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e atyre që i konsideronin kundërshtarë”.Kundërshtarët, sipas aktakuzës, ishin njerëz që u perceptuan se kanë “bashkëpunuar me forcat e ish-Republikës Jugosllave, me zyrtarët apo institucionet shtetërore ose nuk mbështesnin qëllimet e UÇK-së, përfshirë personat e lidhur me LDK-në dhe persona të etnisë serbe, rome dhe etnive tjera”. Kurti tha se pretendimet e Dhomave të Specializuara se ka ekzistuar një ndërmarrje kriminale brenda UÇK-së, nuk janë të vërteta.

“Prokuroria e ka gabim, nuk ka pasur strukturë të tillë, UÇK-ja kishte Shtabin e Përgjithshëm dhe zyrat përkatëse”.

Ish-kryeministri Kurti ka qenë kundër themelimit të Gjykatës Speciale nga ana e parlamentit në 2015. Asokohe, ai ishte deputet I kuvendit te Kosoves.

Top Channel