Mbi 300 raste të infektuarish me Covid 19 janë aktive në vetëm në Gjirokastër. Rastet që janë rritur në mënyrë dramatike dhe jashtë çdo kontrolli ditët e fundit gjenden gjithandej në institucione shtetërore, bashki, këshilli i qarkut, gjykatë, spital, polici, shkolla, ndërmarrje private ndërsa dhjetëra individë janë infektuar si pasojë e kontaktit me persona të infektuar.

Dy ditë më parë ISHP mbylli për 14 ditë dy fasoneri në Gjirokastër përkatësisht me 220 dhe 140 punëtorë. Megjithëse zyrtarisht vetëm 4 punëtorë në të dy ndërmarrjet kanë marrë përgjigje pozitive për testimet e kryera inspektorët kanë gjetur mbi 40 punëtorë që po punonin ndërsa kishin temperaturë dhe simptoma të ngjashme me ato të Covid 19.
Epidemiologët thonë se po marrin gati 40 tamponë çdo ditë ndërsa bëjnë thirrje për të respektuar izolimin. Një pjesë e infektimeve vijnë prej mosrespektimit të izolimit. 2 kopshte janë mbyllur për shkak të rasteve të edukatoreve të infektuara dhe disa shkolla kanë mbyllur klasa të veçanta duke e zhvendosur mësimin online.

Në takimin lokal të ekipit që mban në mbikqyrje rastet e infektuara u vendos çelja e një pavioni me pak shtretër pranë spitalit të Gjirokastrës në mënyrë që personat që kanë gjendje më të rëndë të mos marrin më shërbim në shtëpi. Në këtë repart janë duke u trajtuar sot rastet e para kryesisht ata që kanë nevojë për oksigjen.

Një pjesë e mirë e personelit shëndetësor sidomos infermierë janë infektuar gjatë trajtimit të të sëmurëve në banesa. I gjithë ekipi shëndetësor që realizon testimet për Covid 19 është aktualisht i infektuar përfshi këtu edhe shoferët e shërbimit.
Përditësimi i infektimeve të reja kryhet çdo mbrëmje me policinë e shtetit por kontrolli për izolimin e rasteve duket i vështirë.

Kristina Fidhi

Top Channel