Tatimet kanë dhënë informacion lidhur me mënyrën e përfitimit të ndihmës financiare të disa prej kategorive kryesore të ndërmarrjeve, të cilat zbatojnë protokollet e sigurisë, në kuadër të parandalimit e të kontrollit të pandemisë Covid 19.

Vendimi vjen pasi në Fletoren Zyrtare u publikua lista e kategorive të bizneseve që do të përfitojnë 2 mijë lekë për çdo punonjës për dy muaj, pra e llogaritur në 4 mijë lekë.

Vendimi i marrë nga qeveria në datën 4 nëntor të këtij viti jep një ndihmë financiare për ato biznese të vogla dhe të mesme, të cilat kompensohen për zbatimin e protokolleve të sigurisë, në kuadër të parandalimit e të kontrollit të pandemisë Covid 19.

Në datë 9 nëntor, vendimi ka hyrë në fuqi dhe tatimet kanë detajuar tashmë përfituesit e kësaj ndihme.  Sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave me numër 856 janë përfitues ndërmarrjet të punësuarit e të cilave figurojnë në listëpagesat e përditësuara të tatimpaguesit, për muajin Qershor 2020, të dorëzuara përpara datës 09.11.2020.

Për çdo të punësuar në më tepër se një listëpagesë ndërmarrja përfiton vetëm një herë ndihmën financiare. Në rastet kur i punësuari është në më tepër se një listëpagesë dhe kontributet paguhen nga të dyja ndërmarrjet, ndihmën financiare e merr ndërmarrja, e cila aplikon e para.

Ndërmarrja që nuk aplikon e para, nuk e përfiton ndihmën financiare vetëm për të punësuarin që është në më tepër se në një listëpagesë. Nuk konsiderohen të punësuar individët e deklaruar me 0 lekë në listëpagesë.

Nuk janë përfitues ndërmarrjet, të cilat nuk rezultojnë aktive në datën e hyrjes në fuqi të vendimit dhe që nuk kanë dorëzuar deklaratën vjetore për vitin 2019.

Top Channel