Çelet panairi i librit/ Ofertat e më shumë se 40 shtëpive botuese i gjeni online

12/11/2020 20:08

Panairi i 23 i Librit Online u çel këtë të enjte, për të pasuar katër ditë me festën e librit. Në fjalën hapëse të tij kreu i Shoqatës së Botuesve apeloi për shtimin e librarive në Tiranë.

 “Gjatë lëtyre katër ditëve të Panairit të Librit, nga sot deri ditën e diele, do të bëhen më shumë se 60 aktivitete nga shtëpitë botuesve, nga Shoqata e Botuesve, kemi disa aktivitete problemore, do të diskutojmë nesër në Bibliotekën Kombëtare për probleme të përkthimit, të mjeshtërisë së përkthimit. Tirana ka nevojë për një librari të madhe, ka nevojë për shumë librari, janë librari që i hëngri koha”, tha Petrit Ymeri.

Çmimet e panairit të sivjetshëm do të jepen ditën e dielë, pasi juria ka shqyrtuar me kujdes prurjet e këtij viti.

“Libri është më i pari instrument dhe dija është më i pari mekanizën që bën të mundur që një komunitet të fitojë cilësinë e të qenurit njeri dhe mbi të gjitha të mendimit të pavarur”, tha Diana Kastrati.

Ky panair do të ketë fokus për letërsinë shqipe dhe sfidat e saj të globalizmit. Edhe njëherë pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e librit në zhvillimin e shoqërisë.

“Unë nuk e shoh ndryshe këtë përpjekje, përvecse si një shërbim i pashpërblyer i  botuesve, autorëve dhe librarëve për ta ushqyer këtë dritë të diturisë që përpara do të na shpjerë si komb”, tha Besnik Mustafaj.

Top Channel ka mundësuar platformën Panairi i Librit Online 2020, ku ju mund të gjeni ofertat e mbi 40 shtëpive botuese për këtë panair online.

 

Top Channel