​Hoti: Çështja e të pagjeturve, temë kryesore e dialogut në Bruksel

12/11/2020 12:44

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti po zotohet se çështja e personave të pagjetur është thelbësore në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas tij, në marrëveshjen e Uashingtonit është përfshirë kjo çështje, e po ashtu edhe në dialogun në Bruksel. Për këtë, ai po zotohet se i kanë dhënë rëndësinë e duhur personave të cilët edhe pas dy dekadave, nuk dihet për fatin e tyre.

Kështu është përgjigjur ai gjatë seancës plenare, i cili është pyetur nga deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli se a do të kushtëzojnë pjesëmarrjen e Kosovës në dialog, pas fshehjes së fakte lidhur me personat e pagjetur.

Kryeministri Avdullah Hoti tha se çështja e personave të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë shqetëson të gjithë, duke shtuar se po bëjnë përpjekjet maksimale që të bëjnë progres në zbardhjen e fatit të tyre.

Megjithatë, Pacolli vazhdoi me pyetjet e saj në lidhje me këtë çështje, duke shtuar se shteti serb nuk ka për qëllim hetimet. Ndërsa, Hoti tha se përgjigje e tij janë edhe veprimet që po i ndërmerr Qeveria e Kosovës lidhur me këtë çështje.

“Mendoj që përgjigjet po i japim të qarta me veprimet që po i bëjmë. Tu kisha lut. Në marrëveshjen e Uashingtonit, pikë e marrëveshjes edhe pse është për normalizim të marrëdhënieve ekonomike të dyja vendeve, është përfshirë edhe çështja e të pagjeturve. Në dialogun në Bruksel, temë kryesore, e para gjatë procesit të dialogut është çështja e të pagjeturve. Ne në këtë proces jemi duke dialoguar me partnerët tanë ndërkombëtarë për të adresuar këtë çështje. Unë besoj që i kemi dhënë rëndësinë e duhur kësaj çështje”, tha Hoti.

Top Channel