Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti vlerëson se deklarimet e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, nuk janë në dobi të normalizimit të marrëdhënieve midis dy vendeve, arritjes së marrëveshjes përfundimtare dhe njohjes reciproke.

Hoti tha se ky deklarim është në kundërshtim me të gjitha zotimet që Serbia i ka bërë, nën garancitë e faktorit ndërkombëtar për paqen e qëndrueshme dhe zhvillimin ekonomik të rajonit.

“Qeveria e Kosovës vazhdon të mbetet e përkushtuar në rolin e saj konstruktiv në të mirë të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit të gjithë rajonit. Qeveria e Kosovës pret nga Bashkimi Evropian dhe nga NATO-ja të reagojë ndaj këtyre provokimeve”, thuhet në reagim.

Hoti ka theksuar se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë angazhimin për anëtarësim sa më të shpejtë të vendit në NATO, BE dhe të gjitha institucionet relevante ndërkombëtare, si një vlerë e shtuar për zhvillimin e demokracisë dhe paqes në botë.

Top Channel