Prokuroria Speciale në Prishtinë ka ngritur aktakuzë të re kundër të dyshuarve për ndihmë në kryerjen e vrasjes së politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviç, kanë konfirmuar avokatët mbrojtës, Dejan Vasiç dhe Faruk Korenica.

Kjo është aktakuza e tretë e ngritur në këtë rast dhe të trija aktakuzat janë pothuajse identike me disa korrigjime shumë të vogla, të cilat në thelb nuk janë relevante për çështjen. Kjo është e njëjta aktakuzë ndaj personave të njëjtë, për të njëjtën ngjarje, plotësisht e njëjtë”, tha avokati Dejan Vasiç.

Prokuroria Speciale ngriti aktakuzën e parë më 2 dhjetor 2019 dhe vetëm një seancë përgatitore u mbajt më 11 shkurt të këtij viti. Seanca ishte caktuar paraprakisht për 30 dhjetor, por u anulua, sepse prokurori i atëhershëm, paraqiti një aktakuzë të re, të ndryshuar. Në procesin, të cilin e udhëheq Prokuroria Speciale e Kosovës, të akuzuar janë: Marko Roshiç, Nedeljko Spasojeviç, Silvana Arsoviç, Zarko Jovanoviç, Dragisha Markoviç dhe Rade Basara, ndërsa, si udhëheqës të grupit kriminal, akuzohen Milan Radoiçiç dhe Zvonko Veselinoviç.

Oliver Ivanoviç, më 16 janar 2018, është vrarë me gjashtë të shtëna në shpinë, para objektit të partisë së tij “Liria, Demokracia, Drejtësia” në Mitrovicën e Veriut. Nga përfundimi i luftës në Kosovë, ai ka qenë ndër politikanët më të rëndësishëm ndërkohë që për disa vite rresht është përballur me një proces gjyqësor nën akuzat për “rolin e tij” në vrasjen e shqiptarëve nga luftës së viteve 98-99.

Top Channel