Tre mjekë rusë infektohen me Covid-19 pas dozës së parë të vaksinës ‘92% efektive’ Sputnik V

11/11/2020 17:48

Tre mjekë rusë të linjës së parë të pandemisë, kanë rezultuar pozitivë me Covid-19 pasi morën vaksinën Sputnik V, e shpallur nga Moska si “më e mira në botë” me 92 përqind efektivitet. Doktorët kishin marrë vetëm të parën nga dy doza të nevojshme për imunizim.

Në gusht vaksina ishte shpallur si kura e parë kundër koronavirusit nga Vladimir Putin teksa përballej me kritika nga Perëndimi për lëshimin e saj në përdorim para kompletimit të fazës së plotë të testimeve.

Tashmë prodhuesit e vaksinës thonë se mbrojtja nga virusi vjen vetëm gjashtë javë pas dy injeksioneve të para të vaksinës, të cilat bëhen 21 ditë larg njëra-tjetrës.
Deklarimi erdhi vetëm pasi 3 nga 42 mjekët e rajonit të Altai në Siberi u infektuan nga sëmundja pas marrjes së dozave të vaksinës.

Doktorët duhet të merrnin dozën e dytë të vaksinës më 14 tetor, por nuk është e qartë se kur saktësisht treshja u identifikuan me Covid-19, edhe pse tashmë ata janë shëruar nga sëmundja.

Kryedoktoresha e rajonit të Altai, Irina Pereladova tha për mediat lokale se mjekët ishin infektuar në 24 orët pas marrjes së injeksionit.

“Tre nga 42 doktorë që janë vaksinuar kundër koronavirusit, janë infektuar,” tha ministria ruse e shëndetësisë.

“Krijuesit e vaksinës kanë thënë se një person konsiderohet i vaksinuar rreth tre javë pas injeksionit të dytë, që do të thotë se prej nisjes së vaksinimit nevojiten rreth gjashtë javë”.

Rusia është duke vaksinuar gradualisht të gjithë punonjësit e saj të shëndetësisë dhe profesionistë të tjerë të linjës së parë siç janë mësuesit dhe policët.

Sputnik V – e para nga disa vaksina ruse kundër Covid-19 – është krijuar nga Instituti Shtetëror i Epidemiologjisë.

FOTO GALERI
2/3
Tashmë prodhuesit e vaksinës thonë se mbrojtja nga virusi vjen vetëm gjashtë javë pas dy injeksioneve të para

Top Channel