Minatorët e minierës së “Trepçës” në Stantërg kanë ndërprerë punën në këtë minierë për shkak se nuk kanë marrë pagën e muajit tetor.

Disa prej tyre po qëndrojnë në hapësirat e restorantit, ndërsa te tjerët në oborrin e kësaj ndërmarrjeje. Gani Osmani, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të kësaj miniere, konfirmoi për KosovaPress se minatorët janë në grevë, duke bërë të ditur se arsyeja e vetme për ndërprerjen e punës janë pagat. Sipas tij, që nga dita e djeshme ndërrimi i dytë dhe i tretë nuk kanë punuar dhe atyre u është bashkuar edhe ndërrimi i parë, ndërsa tha se kjo gjendje do të vazhdojë derisa të mos zgjidhet ky problem.

“E vetmja arsye pse jemi në grevë janë pagat e muajit tetor. Kemi biseduar me menaxherin i cili na ka thënë se për momentin nuk ka mjete. Nuk dimë kur do t’i marrim pagat, por deri atëherë ne nuk do të punojmë”, tha Osmani.

KosovaPress është përpjekur të kontaktojë edhe me menaxherin e kësaj ndërmarrje, por pa sukses.

Top Channel