Koronavirusi; Bashkimi Evropian blen 300mln doza vaksine të grupit BioNTech-Pfizer (çmimi)

11/11/2020 19:23

Bashkimi Evropian ka rënë dakord të blejë 300 milionë doza të vaksinës së BioNTech-Pfizer kundër koronavirusit, pasi sipas tij ka treguar rezultate ‘të forta’ në testime.

Kompanitë thanë se shpërndarja e tyre pritet të nisë në fund të këtij viti. BE refuzoi të jepte detaje të mëtejshme mbi mënyrën e shpërndarjes së vaksinës, duke insistuar se para kësaj “duhet të ndiqen një seri hapash”.

SHBA kanë rënë dakord të blejnë 100 milionë dozat e para për $19.50 dollarë secila. Sasia e porositur prej tyre është më e vogël nga ajo e kërkuar nga BE. Kompania prodhuese ka bërë të qartë se sasia e porositur do të ketë ndikim te çmimi i dozave.

Ndërsa BE nuk jep informacione për çmimin e blerjes, por kanë thënë se do të blejnë vaksinë me një çmim që është më afër 20 dollarëve sesa 10 dollarëve, sipas Reuters.

Të dhënat paraprake sugjerojnë se vaksina krijon mbrojtje deri në 90% kundër krijimit të simptomave të Covid-19.

Të hënën prodhuesit e saj Pfizer e BioNTech, thanë se kishin testuar injeksionin e tyre në 43,500 njerëz, pa asnjë shqetësim të ngritur prej tyre.
Kompanitë planifikojnë të nisin aplikimin e saj për punonjësit e linjës së parë të pendemisë prej fundit të muajit.

Komisionerja e shëndetësisë së BE, Stella Kyriakides e përshkruante marrëveshjen si “shumë të rëndësishme” .

“Marrëveshja do të thotë se jemi një hap më afër objektivit tonë që është të pasurit e një kuadri të gjerë dhe solid për vaksinën e koroanvirusit”, tha ajo, duke shtuar se shpërndarja do të nisë pasi “të provohet se është e sigurtë”.

Kyriakides refuzoi të jepte afate të sakta kohore për shpërndarjen në vendet anëtare. “Është dhënë autorizimi nga Agjencia Mjekësore Evropiane”, tha ajo, teksa më pas paralajmëroi: “Vasina nuk do të jetë ‘plumbi i argjendtë’ që do të zhdukë virusin brenda natës”.

Edhe zyrtarë të BE kanë thënë se vaksinimi në 27 vendet anëtare do të nisë prej fillimit të vitit që vjen.

“Në rastin më të mirë fushata do të nisë në tremujorin e parë të vitit që vjen por nuk mund të jem më i saktë,” tha Andrea Ammon, drejtoresha e qendrës evropiane të sëmundjeve për rrjetin AFP, duke shtuar se për momentin situata është shqetësuese dhe treguesit “nuk po ecin në drejtimin e duhur”.

FOTO GALERI
3/3
Të dhënat paraprake sugjerojnë se vaksina krijon mbrojtje deri në 90% kundër krijimit të simptomave

Top Channel