Pas paraqitjes së ish-kreut të saj, Kadri Veseli përpara Dhomave të Specializuara me seli në Hagë, Partia Demokratike e Kosovës njoftoi se nuk do të marrë pjesë për një javë në seancat dhe zhvillimet tjera të Kuvendit.

Njoftimin e bëri deputeti i saj, Abelard Tahiri, i cili tha se PDK-ja nuk do të shkojë në seancën ku votohet ligji për rimëkëmbjen e shtoi se qeverisë i duhet reflektim.

“Që nga pesë nëntori i këtij viti, Kosova dhe shoqëria jonë janë duke kaluar nëpër rrethana aspak të zakonshme. Që nga e hëna janë paraqitur si të akuzuar drejtuesit kryesorë të luftës sonë, ndër ta presidenti i Kosovës i zgjedhur nga ky kuvend, kreu i PDK-së, Kadri Veseli ish-kryetar i Kuvendit për dy mandate, ish-kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi dhe sot paraqitet shefi i grupit më të madh parlamentar, Rexhep Selimi”, tha ai.

Tahiri shton se PDK-ja do të shtyjë prezencën e saj për një javë në seanca.

“Ne si PDK kemi nevojë për reflektim. Për një jave, PDK nuk do të marrë pjesë në séance. Ky akt nuk lidhet me zhvillimet mbi drejtësinë, por me nevojën për sensibilizim. Ne na duhet reflektim dhe unitet”, tha Tahiri duke shtuar se besojnë në luftën e pastër të UÇK-së.

Ashtu si Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi përpara tij, edhe Kadri Veseli u deklarua i pafajshëm për aktakuzën e krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit të konfirmuar nga Dhomat e Specializuara në Hagë. Gjatë seancës së parë në Hagë, mbrojtja e Veselit tha se do të kërkojë lirimin e tij deri në nisjen e gjykimit. Veseli, që gjatë luftës ka qenë anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u dërgua në qendrën e paraburgimit në Hagë më 5 nëntor.

Top Channel