Ministrja Ogerta Manastirliu

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët ka bërë të ditur se prej ditës së nesërme, datë 11 Nëntor hyjnë në fuqi masat e reja të propozuara nga Komiteti Teknik i Ekspertëve për parandalimin e COVID19.

Manastirliu deklaroi se do të hyjnë në fuqi urdhrat për ndalimin e aktiviteteve të bareve, restoranteve dhe kufizimin e lëvizjes së qytetarëve nga ora 22:00- 06:00, për një periudhë 3 javore si masa për frenimin e përhapjes së virusit SARSCOV2. Sipas urdhrit të firmosur përjashtim nga kufizimet bëjnë personat që do të lëvizin për emergjenca shëndetësore, motive pune apo nevoja të domosdoshme.

“Nga nesër do të ketë kufizim të lëvizje nga ora 22:00-6:00 deri në datën 2 dhjetor. Përjashtim përbëjnë emergjencat dhe arsyet e punës. Duke nisur nga nesër do të ketë kufizim të bareve restoranteve fast food nga ora 22:00-6:00 përvec shërbimit delivery deri në datën 2 dhjetor. Qyetatarët do të pajisjen me autorizim në e-albania, përveç rasteve kur janë emergjenca shëndetësore apo për institucionet e shëndetësisë dhe punonjësit e shërbimeve kritike që përjashtohen nga aplikimi në e-Albania”, tha Manastirliu.
Manastirliu bëri me dije se administrata do të punojë nga shtëpia për tre javë, si një tjetër masë për të frenuar përhapjen e infeksionit.

“Është e rëndësishme të theksojmë nevojën që ka në këto momente për të patur bashkëpunim me të gjithë qytetarët. Ne jemi në krye të detyrës të përkushtuar dhe për të bërë më të mirën brenda kapaciteteve tona, por sot më shumë se kurrë nevojitet durim dhe vendosmëri për ta përballuar këtë pandemi, duke zbatuar rregullat e thjeshta të distancimit, higjenës, vendosjes së maskës, të vendosemi në një fron përball këtij virusi. Sistemi shëndetësor ka qenë, është dhe do të jetë në gatishmëri të plotë për të përballuar këtë situatë, por nëse kemi diçka në dorë le ta bëjmë të gjithë, për kufizimin e virusit”, tha Manastirliu.

Gjatë fjalës saj Manastirliu ka bërë një thirrje për opozitën për të bashkëpunuar në këtë betejë që është e të gjithëve.
“Sot raportohet se në vende si Polonia, Republika Çeke, Italia, Franca, është vënë alarmi për mbingarkesë të sistemit shëndetësor. A shihni në këto vende konferenca shtypi ku u bëhet thirrje qytetarëve që të mos besojnë tek autoritetet shëndetësore? Apo tek mjekët? A mendoni se mjekët dhe infermierët që shërbejnë çdo ditë, e meritojnë zhvlerësimin dhe denigrimin që vjen si pasojë e retorikës politike. Në situata si kjo e pandemisë që ndodhin një herë në njëqind vjet, rruga e duhur për të mbrojtur njerëzit që besoni se përfaqësoni, është bashkëpunimi për hir të shëndetit të popullatës, dhe jo shfrytëzimi i saj për të fituar ndonjë pikë aty-këtu”, tha Ministrja e Shëndetësisë.

Manastirliu foli për ngjarjen e ndodhur gjatë në spitalin infektiv ku një pacient ka tentuar të kryejë aktin tragjik.
“Dua të shpreh keqardhjen time të thellë, për një ngjarje të rëndë të ndodhur në spitalin infektiv. Stafi Mjekesor është duke u kujdesur për pacientin dhe ju siguroj që po kryhen të gjitha hetimet dhe verifikimet për ngjarjen. Qytetarit dhe 120 qytetarëve të tjerë që po marrin shërbim në Spitalin Infektiv, nuk u ka munguar asgjë. Shërbimin mjekësor e kanë marrë dhe do të vazhdojnë ta marrin nga mjeket dhe infermieret që janë në frontin e luftës me një armik të padukshëm për më shumë se 8 muaj” tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë theksoi se po punohet çdo ditë për rritjen e testimeve dhe zgjerimin e kapaciteteve spitalore duke përfshirë edhe spitalet rajonale në kuadër të përgatitjes së planit vjeshtë dimër.
“Jemi përgatitur me planin tonë të vjeshtë dimrit, për të rritur testimet, kapacitetet spitalore dhe kemi gati planin për zgjerimin e kapaciteteve edhe në spitalet rajonale, sipas 3 skenarëve të paracaktuar, që ja u kemi bërë edhe me dije dhe do të përfshihen në trajtimin e pacientëve pas ezaurimit të 4 strukturave të dedikuara COVID”, theksoi Manastirliu.

https://top-channel.tv/wp-content/uploads/2020/11/Urdher-Nr.616.pdf

https://top-channel.tv/wp-content/uploads/2020/11/Urdher-Nr.615.pdf

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA