Prokurori i Përgjithshëm William Barr ka autorizuar prokurorët federalë të hetojnë ato që ai i quan “pretendime të forta” për parregullsi, gjatë zgjedhjeve të 3 nëntorit. Një vendim i tillë nxiti zyrtarin e Departamentit të Drejtësisë që mbikëqyr krimet elektorale të japë dorëheqjen. Në dokumentin e lëshuar të hënën, të publikuar nga disa organizata mediatike, nuk citohej ndonjë rast specifik rreth manipulimeve të pretenduara.
Barr shkruante se hetimet “mund të kryhen nëse ka pretendime të qarta e të besueshme për parregullsi, të cilat nëse janë të vërteta, mund të ndikojnë në rezultatin e zgjedhjeve në një shtet të caktuar”.
Ai shtonte se “ndërsa është e domosdoshme që pretendimet e besueshme të trajtohen në një kohë dhe në mënyrë efektive, është po aq e domosdoshme që personeli i Departamentit të tregojë kujdesin e duhur, e të ruajë angazhimin absolut të këtij Departamenti, për drejtësi, paanësi e qasje jopartiake”.
Lëvizja e zotit Barr nxiti dorëheqjen e prokurorit kryesor që mbikëqyr krimet e lidhura me zgjedhjet në Departamentin e Drejtësisë Richard Pilger. Në një email drejtuar kolegëve të tij të hënën ai shkruante se “dorëhiqej me keqardhje” pas udhëzimit të zotit Barr “dhe pasojave që ai mund të prodhojë”.
Zoti Pilger do të vazhdojë të shërbejë në Departamentin e Drejtësisë, por në një detyrë tjetër.
Prej kohësh Departamenti i Drejtësisë ka ndjekur një politikë që synonte të ndalonte hetime të kësaj natyre derisa zyrtarët e zgjedhjeve në secilin shtet të çertifikonin rezultatet, për të shmangur çdo lloj perceptimi të ndërhyrjes nga qeveria federale.
Shtetet kanë afat deri më 8 dhjetor për të kryer rinumërime të mundshme ose për të zgjidhur proceset gjyqësore lidhur me zgjedhjet. Më pas më 14 dhjetor Kolegji Zgjedhor do të mblidhet për të zgjedhur zyrtarisht fituesin e zgjedhjeve presidenciale bazuar në rezultatin e 3 nëntorit.
Nëpërmjet një deklarate të hënën Bob Bauer, një prej avokatëve të fushatës zgjedhore të presidentit të zgjedhur Joe Biden, shprehej se është “thellësisht për të ardhur keq që Prokurori i Përgjithshëm Barr zgjodhi të lëshojë një udhëzim që do të ushqejë vetëm pretendime çorientuese, spekulative, imagjinare apo të pabesueshme. Këto janë nga ato lloj pretendimesh që presidenti dhe avokatët e tij po hedhin pa sukses çdo ditë, ndërsa paditë e tyre po bëhen qesharake nga një gjykatë në tjetrën”. “Por në fund të fundit, demokracia amerikane është më e fortë se çdo skenar politik i çalë e cinik”, shtonte më tej ai.
Presidenti Donald Trump nuk e ka pranuar rezultatin e zgjedhjet dhe ka pohuar, por pa ofruar prova, se procesi i votimit në shumë shtete u manipulua. Organizatat kryesore mediatike e kanë shpallur zotin Biden fitues bazuar informacionet e numrit të votave të lëshuara nga shtete të ndryshme./VOA/
Top Channel