Një ditë pas paraqitjes së ish-presidentit Hashim Thaçit dhe ish-kryetarit të Kuvendit Jakup Krasniqi, në sallën e Gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë del sot edhe ish-kreu i PDK-së, Kadri Veseli.

Veprat që, sipas aktakuzës, rëndojnë ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Rexhep  Selimit kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe me krime kundër njerëzimit: burgosje. Më pastaj përmenden edhe akte të tjera çnjerëzore, si: torturë, vrasje të paligjshme, zhdukje me forcë e personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara janë kryer mes marsit 1998 dhe shtatorit të vitit 1999.

Sipas aktakuzës, krimet dyshohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës, por edhe në disa pjesë në veri të Republikës së Shqipërisë, si në Kukës dhe Cahan. Ish-presidenti Thaçi u deklarua shkurt dhe prerë i pafajshëm në seancën e së hënës.

Ndërsa paraqitja e Jakub Krasniqit ishte tejet prekëse, pasi vetë qe i pushtuar nga emocionet e shkaktuara prej asaj që e cilësoi si “padrejtësi të madhe”.

Gjatë paraqitjes së pare në Hagë, gjykatësi i procedurës paraprake siguron që të respektohen të drejtat e të akuzuarit, ndër të cilat edhe e drejta për përfaqësim ligjor dhe që i akuzuari t’i kuptojë akuzat kundër tij. Të pandehurit po ashtu i jepet mundësia të deklarohet nëse është fajtor ose i pafajshëm për çdo akuzë, ose këtë mund ta bëjë edhe brenda tridhjetë ditësh nga paraqitja e parë para Dhomave të Specializuara.

 

Top Channel