Policia Federale Gjermane ka dhuruar 22 automjete për Policinë Kufitare Shqiptare, si dhe pajisje teknologjike dhe radio ndërlidhëse.
Në ceremoninë e dorëzimit të tyre, organizuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, morën pjesë Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, Ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Peter Zingraf, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, drejtues të lartë të PSH dhe efektivë të Policisë Kufitare.
Fjala e Ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj në ceremoni:
Mirëdita!
I nderuar Ambasador i Republikës Federale të Gjermanisë,
Z. Drejtor i Policisë së Shtetit,
Të nderuar drejtues dhe pjesëtarë të tjerë të Policisë së Shtetit,
Zonja dhe Zotërinj,
Në një farë mënyre është bërë rutinë kjo lloj ceremonie këtu në këtë shesh, përpara Drejtorisë Qendrore të Policisë së Shtetit, për arsye se po bëhen disa herë radhazi që unë vetë po marr pjesë në ceremoni të ngjashme ku Republika e Gjermanisë dhuron mjete, teknikë në shërbim dhe funksion të Policisë së Shtetit. Kjo është njëra prej tyre, ndaj gjej rastin për ta falënderuar përzemërsisht Republikën Federale të Gjermanisë, Ministrinë e Brendshme, Policinë Federale Gjermane, dhe Ambasadën Gjermane në Tiranë për këtë kontribut të vazhdueshëm, i cili provon dhe një herë tjetër se marrëdhëniet midis dy vendeve janë në një nivel të shkëlqyer, dhe se perspektiva e tyre është po ashtu mjaft pozitive.
Po bëhen rreth 90 automjete që janë dhuruar vetëm këto dy vitet e fundit për Policinë e Shtetit, kryesisht atë kufitare dhe forcat operacionale të saj. Gjë që tregon se Policia Gjermane i ka identifikuar mirë nevojat tona dhe ka gjetur mënyrën më të mirë për të kontribuar në rritjen e kapaciteteve të Policisë së Shtetit në aspektin teknik të saj. Ashtu sikundër nuk ka munguar bashkëpunimi edhe në drejtim të rritjes së nivelit profesional të punonjësve të Policisë së Shtetit. Përgjithësisht mjetet që pranohen sot i dedikohen Policisë Kufitare, Polici, e cila po njeh fuqizim të mëtejshëm gjatë kësaj periudhe për të cilën ne po diskutojmë tani.
Së fundmi, Qeveria shqiptare ka arritur ta miratojë një shtesë të ndjeshme në numrin e Policisë së Shtetit, prej së cilës rreth 200, ose gati 40% e saj ka shkuar në funksion të Policisë Kufitare, duke qenë të ndërgjegjshëm se forcimi i kapaciteteve për kontrollin dhe menaxhimin e kufirit është një kontribut i rëndësishëm për forcimin e sigurisë së vendit. Por është edhe një kontribut po ashtu i rëndësishëm për përpjekjen tonë për integrimin europian, duke ditur se flukset migratore janë një sfidë e madhe për Shqipërinë, por edhe për BE.
Në kuadër të përpjekjes tonë për anëtarësim në këtë BE, ne duhet dhe po i koordinojmë më së miri përpjekjet për t’i kontrolluar dhe menaxhuar këto flukse migratore, e për të mundësuar që përmes kontrollit, të parandalohet sidomos risku i shtuar për sigurinë që lidhet me këtë fluks. Dihet që flukset migratore po njohin prej kohësh rritje të vazhdueshme, edhe në vitin 2020 flukset migratore që kalojnë përmes Shqipërisë dhe synojnë të vijojnë drejt vendeve europiane janë rritur, me një rritje të djeshme. Por, po në mënyrë të ndjeshme është rritur edhe bashkëpunimi dhe përpjekja jonë, për ta kontrolluar më mirë kufirin. Falë edhe faktit që tashmë ne nuk e kontrollojmë vetëm kufirin tonë por e kontrollojmë në bashkëpunim me FRONTEX. Dihet që FRONTEX, po zbaton një operacion për kontrollin e kufirit të Shqipërisë për të parën herë në një vend jashtë BE. Ky operacion ka sjellë rezultate mjaft pozitive sa i përket kontrollit dhe parandalimit të riskut që lidhet me flukset e shtuara të migrantëve.
Mbetet detyrë për Policinë Kufitare që të vijojë angazhimin e saj serioz për të rritur nivelin e kontrollit dhe të menaxhimit të vijës tonë kufitare, për të frenuar migracionin e paligjshëm dhe sidomos për të penguar çdo mundësi infiltrimi të rrezikut terrorist dhe ekstremist që i bashkëngjitet nganjëherë flukseve migratore.
Ne do ta vazhdojmë më tej angazhimin për modernizimin e Policisë në tërësi dhe Policisë Kufitare në veçanti. Jemi të ndërgjegjshëm që ende ka hapësirë dhe nevojë për të bërë më shumë për rritjen numerike të Policisë së Shtetit në tërësi.
Rritjen numerike të Policisë Kufitare në veçanti, për t’i çuar numrat në nivelet e krahasueshme me vendet fqinje dhe ato të BE. Por para që gjithash ka nevojë për rritjen e nivelit profesional të punonjësve të Policisë së Shtetit dhe sidomos të punonjësve të Policisë Kufitare.
Duhet ta konsiderojmë me fat mundësinë që kemi për të bashkëpunuar me Policinë Federale Gjermane, e cila është ndër partnerët kryesorë të policisë së shtetit shqiptar. Gjej hapësirë në këtë rast të falënderoj edhe për angazhimin e oficerëve ndërlidhës të Policisë Federale Gjermane në Shqipëri, të z. Ralf Kruger, të znj. Geschke dhe po ashtu gjej mundësinë t’i përcjell përshëndetjet Presidentit të Policisë Federale Gjermane, Dr. Roman, i cili ka qenë vazhdimisht një ndër zërat e fuqishëm në mbështetje të këtij bashkëpunimi, i cili po rritet përditë e më shumë dhe me këtë rast dua edhe ta garantoj Ambasadorin se përpjekjet tona do të vazhdojnë të intensifikohen për të rritur bashkëpunimin dypalësh.
Para pak ditësh patëm një Ministerial të Ministrave të Brendshëm, të rëndësishëm, që u zhvillua nën Presidencën Gjermane, ku u diskutuan pikërisht çështjet që kanë të bëjnë me përmirësimin e kontrollit të flukseve migratore. Garantoj edhe njëherë që ne do të jemi përherë të gatshëm, të motivuar, për të bërë më të mirën që kufijtë e Shqipërisë të mbeten të sigurt nga rreziqet që lidhen me flukset migratore dhe me krimin ndërkufitar.
Po ashtu, përmes këtij kontributi ne ndikojmë që edhe siguria e vendeve të BE-së të përmirësohet përmes rolit të shtuar të Shqipërisë, duke penguar migracionin e paligjshëm, duke penguar dhe luftuar krimin ndërkufitar, trafikimin e armëve, qenieve njerëzore dhe duke synuar që vendi, rajoni, të bëhet përherë dhe më i sigurt për qytetarët dhe më i pakalueshëm për krimin. Faleminderit dhe punë të mbarë të gjithëve!
Top Channel