Kancelarja Angela Merkel përgëzoi Joe Biden-in dhe Kamala Harris-in për fitoren në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së dhe në të njëjtën kohë bëri thirrje për aleancë të ngushtë transatlantike.
“Amerika është dhe do të mbetet aleati më i rëndësishëm i Gjermanisë,” tha shefja e ekzekutivit gjerman në deklaratën e saj për shtyp, ku nënvizoi vlerat dhe interesat e përbashkëta të dy vendeve.
SHBA dhe Gjermania, si anëtare e BE-së duhet të qëndrojnë së bashku për t’u bërë ballë sfidave të mëdha të kohës sonë, siç janë kriza e shkaktuar nga koronavirusi, ngrohja globale, terrorizmi ndërkombëtar, dhe lufta për një “ekonomi të hapur botërore dhe tregti të lirë”. Kjo është baza e mirëqenies në të dy anët e Atlantikut.
Shtetet e Bashkuara “me të drejtë” presin që Gjermania dhe shtetet e tjera evropiane të marrin më shumë përgjegjësi dhe të bëjnë përpjekje më të mëdha për të ruajtur paqen dhe lirinë. Evropianët janë tashmë të vendosur në këtë rrugë.
Përpara këtij urimi publik, Merkel i kishte uruar që të dyja në fundjavë edhe përmes një mesazhi në Twitter ku thoshte se “Joe Biden ka dekada të tëra përvojë në politikën e brendshme dhe të jashtme; ai e njeh mirë Gjermaninë dhe Evropën. Kujtoj me kënaqësi takimet dhe bisedat e mira me të”.
Ndërsa për Harris-in, të cilën e përshëndeti si “gruan e parë në postin e zëvendëpresidentes së vendit”, u shpreh se si “grua dhe bijë e dy emigrantëve, ajo është një shembull dhe frymëzim për shumë njerëz”.
Top Channel