Ish-presidenti i SHBA, Donald Trump

Gjatë katër viteve të shkuara, presidenti Donald Trump ka kaluar ditë të mira dhe të këqija. Por 7 nëntori, dita në të cilën humbi zgjedhjet, ishte një ditë si asnjë tjetër.

I veshur me një xhaketë të zezë, pantallona të errëta dhe një kapelë të bardhë, me mbishkrimin MAGA në të, “Make Amerika Great Again”, presidenti doli nga Shtëpia e Bardhë, pak minuta para orës 10. Ai kaloi pjesën e parë të ditës duke postuar në Twitter, “për zgjedhjet e manipuluara”. Më pas, u ngjit në makinën e tij dhe iu drejtua klubit të golfit, Trump National në Sterling të Virxhinias, rreth 40 km larg nga Shtëpia e Bardhë.

Ishte një ditë perfekte për golf dhe ai do të kalonte ditën atje. Por ndërsa ai dukej i qetë, njerëzit që punonin për të, jo…. Që në orën 11:30, kur presidenti ishte në klubin e tij të golfit, BBC dhe rrjetet e tjera amerikane nisën të shpallnin fitoren e rivalit demokrat. Dhe kjo në dukje nuk e trazoi Trump. Në klub ai ishte i rrethuar nga miq. Jashtë portave, mbështetësit brohorisnin: Ndalni vjedhjen!

Në anën tjetër, para Shtëpisë së Bardhë, festohej fitorja e Biden dhe kjo është ajo çka e priti Trumpin në kthim…

Sidoqoftë, si në klubin e golfit ashtu edhe në Shtëpinë e Bardhë, Trump nuk është lëkundur. Ai vazhdon të bëjë pretendime për manipulim zgjedhjesh dhe insiston se do të luftojë deri në fund. Mbrëmjen e të shtunës madje ai deklaronte “UNË I FITOVA ZGJEDHJET”.

 

Top Channel