Kurba e të infektuarve me coronavirus në Republikën Çeke është rrafshuar, por spitalet janë të ngarkuara dhe infektimi i qytetarëve të moshuar është në rritje, thanë zyrtarët.

Numri i rasteve të reja ditore u rrit tri herë mbi 15,000 që më 23 tetor, por të enjten ra në 13,231, njoftoi Ministria e Shëndetësisë të premten.

Numri i riprodhimit “R” ka rënë në rreth 1, duke sugjeruar një situatë të stabilizuar, tha Ministria.
“Kemi regjistruar një stabilizim të situatës epidemiologjike, por sigurisht se nuk kemi fituar”, tha ministri i Shëndetësisë, Jan Blatny, në një konferencë për media.

“Parashikimet tona tregojnë se do të vazhdojmë të shohim midis 12,000 dhe 15,000 raste pozitive në ditë”, shtoi ai.

Spitalet kanë anuluar gati të gjitha procedurat jourgjente dhe disa është dashur të fillojnë transferimin e pacientëve në rajone të tjera.

Megjithatë, Ladislav Dusek, udhëheqës i institutit të të dhënave shëndetësore UZIS, tha për agjencinë e lajmeve Reuters se skenari më i keq për spitale të mbingarkuara nuk është materializuar.

Të premten, mbi 8,200 pacientë me coronavirus kanë qenë të shtrirë në spitalet e Çekisë.

Në total, Çekia ka regjistruar gati 392,000 raste me coronavirus dhe 4,330 viktima.

Qeveria ka mbyllur shkollat, restorantet dhe shumicën e pikave të shitjes me pakicë dhe ka vendosur orë policore natën, për të kufizuar përhapjen e infeksionit

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA