Liderët e rajoneve italiane, që nga sot kanë hyrë në izolime të pjesshme, kanë kritikuar sistemin e ri të përzgjedhur nga qeveria, që kategorizon disa zona me nivele të ulëta covidi në vend si zona të kuqe, të rrezikut të lartë.
Përplasja, që pritet të shkaktojë më shumë protesta kundër kufizimeve në vend, vjen, ndërsa Italia regjistroi të enjten 34505 raste të reja të koronavirusit dhe 445 viktima, shifra më e lartë kjo që nga 23 prilli.
Rajoni jugor i Kalabrisë, që ka regjistruar 245 infektime të reja të mërkurën, do t’i bashkohet Lombardisë, që është goditur më rëndë, Piemontes dhe Luginës së Aostës, në izolim të pjesshëm. Kufizimet bëjnë që njerëzit të mund të dalin nga shtëpia vetëm për punë ose arsye shëndetësore apo emergjente. Baret, restorantet dhe dyqanet jo të domosdoshme, përveç parukerive, do të mbyllen po ashtu.
Ndërkohë që Campania fqinje, ka aktualisht shifrën e dytë më të lartë të infektimeve të reja në vend, por është vendosur në një zonë rreziku më të ulët, atë të verdhë, si edhe Lazio, rajoni përreth Romës. Pulia po ashtu në jug dhe Siçilia, janë në zonat me rrezik mesatar, portokalli, ku baret dhe restorantet do të mbyllen dhe njerëzit nuk do të lejohen të qarkullojnë jashtë qyteteve të tyre. Kufizimi do të jetë në fuqi deri më 3 dhjetor. Kryeministri Giuseppe Conte tha se kapaciteti në kujdes intensiv mund të jetë në rrezik në 15 nga 20 rajonet e Italisë në disa javë, nëse masa të reja nuk ndërmerren.
Ndërkohë, Greqia u bë vendi më i fundit në Evropë që iu kthye izolimit dhe Gjermania dhe Polonia kanë raportuar shifra të reja rekord 19.990 infektime të reja u konfirmuan një ditë më parë në gjermani ndërsa Polonia raportoi 27143 raste të reja. Spanja po ashtu ka raportuar 21.908 raste të reja ndërsa Franca raportoi mbi 40 mijë raste në një ditë.
Top Channel