OKB: Forcat izraelite rrafshojnë fshatin palestinez duke lënë 41 fëmijë të pastrehë

05/11/2020 18:48

Forcat izraelite në tokat e pushtuara të Bregut Perëndimor kanë sheshuar tërësisht me mjete të rënda një fshat palestinez duke lënë të pastrehë të paktën 41 fëmijë, në një nga zhvendosjet e dhunshme më të mëdha të viteve të fundit, tha Yvonne Helle, koordinatorja humanitare e OKB për territoret e pushtuara palestineze.

Ekskavatorët të shoqëruar nga blindat e ushtrisë u filmuan të afroheshin në Khirbet Humsa dhe më pas rrafshuan shtëpizat, tendat, kasollet e kafshëve, tualetet apo panenet diellore që gjendeshin aty.

“Ato ishin disa nga komunitetet më të dobëta të bregut Perëndimor,” tha Helle, duke shtuar se të paktën tre të katërtat e komunitetit humbën strehën e tyre në operacionin e të martës.

Koordinatorja e OKB tha se ky ishte incidenti më i rëndë i zhvendosjeve të detyruara në vitet e fundit me 76 struktura rezidenciale të shkatërruara.
Një ditë më vonë familjet e fshatit shiheshin që gërmonin mes plaçkave të tyre të shkatërruara. OKB publikoi një foto të një krevati dhe djepi në mes të shkretëtirës së hapur.

Fshati ishte një nga disa komunitete fshatarësh Beduinë në luginën e lumit Jordan, të cilat Izraeli i ka shpallur “zona manovrash zjarri” të ushtrisë, të cilat janë përballur shpesh me shembje të ndërtesave te ngritura pa lejen e Izraelit.

“Palestinezët thuajse kurrë nuk arrijnë të marrin leje të tilla. Shkatërrimet janë mjeti kryesor i krijimit të ambjentit për detyrimin e palestinezëve të largohen nga shtëpitë e tyre,” tha Helle.

Administrata civile e Izraelit tha se kishte kryer “një operacion detyrues … kundër shtatë tendave dhe tetë plevicave kafshësh, të ndërtuara pa leje, në zonë zjarri ushtarak, në luginën e Jordan”.

Shifrat janë në kundërshtim me raportin e OKB dhe me grupin izraelit të të dretave B’Tselem, të cilët thanë se duke përfituar nga vëmendja boterore e fokusuar në zgjedhjet presidenciale të SHBA, ushtria ka shkatërruar 18 tenda dhe plevica që strehonin 11 familje, 29 tenda e plevica të përdorura për ruajtjen e kafshëve, nëntë tenda të përdorura si kuzhinë, 10 tualete portative, 23 depozita uji, dy panele diellore, si dhe enë ushqimi dhe uji për kafshët.

“Si pjesë e përpjekjeve për të marrë gjithnjë e më shumë tokë palestineze, izraelit rregullisht shkatërron shtëpi dhe prona të Palestinës”, tha përfaqësuesi i grupit B’Tselem, Amit Gilutz.

“Por zhdukja e një komuniteti të tërë është shumë e rrallë dhe duket se Izraeli ka përfituar nga largimi i vëmendjes tjetërkund për të vijuar me këtë akt inhuman,” tha ai duke iu referuar zgjedhjeve në SHBA.

FOTO GALERI
1/3
Koordinatorja e OKB tha se ky ishte incidenti më i rëndë i zhvendosjeve të detyruara në vitet e fundit

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA