Më 9 nëntor në orën 11:00 paradite, do të mbahet paraqitja e parë e Jakup Krasniqit në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë.

Seanca dëgjimore ndaj tij do të fillojë nga ora 11:00.

Pas bastisjes së shtëpisë së tij, Krasniqi të mërkurën është arrestuar nga pjesëtarë të EULEX-it, teksa ka njoftuar se i ishte konfirmuar aktakuza nga Specialja.

Aktakuza e ngarkon Jakup Krasniqin me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit sipas të drejtës ndërkombëtare, për forma të ndryshme të përgjegjësisë penale.

Aktakuzat nga Specialja i janë konfirmuar edhe Hashim Thaçit, Kadri Veselit e Rexhep Selimit, megjithëse për këta të tre ende nuk dihet se kur do të mbahen seancat.

Dhomat e Specializuara me seli në Hagë, publikuan aktakuzën për presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, kryetarin e Partisë Demokratike, Kadri Veseli, kryetarin e Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate Jakup Krasniqi dhe shefin e grupit parlamentar të lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, të cilët ngarkohen për krime lufte.

Të gjithë këta, ish drejtues të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndodhen tashmë në qendrën e paraburgimit të Gjykatës së Posaçme në Hagë.

Sipas aktakuzës krimet janë kryer në disa vende në Kosovë si edhe në Kukës dhe Cahan në Shqipërinë Veriore nga pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë aktive në luftime.

Njoftimi i plotë:

SEANCË PUBLIKE: PARAQITJA E PARË E JAKUP KRASNIQIT NË ÇËSHTJEN E PROKURORIT TË SPECIALIZUAR KUNDËR HASHIM THAÇIT, KADRI VESELIT, REXHEP SELIMIT DHE JAKUP KRASNIQIT

Më 9 nëntor në orën 11:00 paradite, do të mbahet paraqitja e parë e Jakup Krasniqit në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë.

Aktakuza kundër Jakup Krasniqit u konfirmua më 26 tetor 2020. Ai u arrestua nga Zyra e Prokurorit të Specializuar më 4 nëntor dhe u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë në të njëjtën ditë.

Aktakuza e ngarkon Jakup Krasniqin me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit sipas të drejtës ndërkombëtare, për forma të ndryshme të përgjegjësisë penale. Aktakuza e redaktuar publike mund të lexohet këtu.

Paraqitja e parë e Jakup Krasniqit do të mbahet në seancë publike. Gjatë paraqitjes së parë, gjykatësi i procedurës paraprake siguron që të respektohen të drejtat e të akuzuarit, ndër të cilat e drejta për përfaqësim ligjor dhe që i akuzuari të kuptojë akuzat kundër tij. Paraqitja e parë mund të përcillet përmes transmetimit në Internet me një vonesë të shkurtër në https://www.scp-ks.org/sq/transmetim.

Gjithashtu, seanca mund të përcillet edhe nga galeria publike e sallës së gjyqit në ndërtesën e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë. Po ashtu, DHSK-ja ka edhe një qendër të posaçme për median në ndërtesën e vet në të cilën gazetarët mund të punojnë dhe të përcjellin seancat me një vonesë të shkurtër.

Për shkak të masave për parandalimin e përhapjes së Covid-19, numri i ulëseve në galerinë publike dhe në qendrën për media është shumë i kufizuar dhe nevojitet regjistrim paraprak.

Për regjistrim paraprak, ju lutemi dërgoni një email në [email protected] deri të shtunën, 7 nëntor, ora 12:00 në mesditë.

Në email duhet të shënohen emri dhe mbiemri, data e lindjes, shtetësia dhe numri i pasaportës/letërnjoftimit, dhe përkatësia (p.sh, person privat, diplomat i akredituar, OJQ/shoqëria civile) dhe detaje të tjera relevante. Gazetarët duhet të shënojnë edhe emrin e organit të medias, vendin ku janë të bazuar, si edhe një skanim të kartelës së shtypit.

Do t’ju informojmë sa më shpejt që të jetë e mundshme nëse ka ulëse të lira. Kërkojmë mirëkuptimin tuaj duke mbajtur parasysh kufizimet e imponuara prej masave për shëndetin publik në përgjigje të COVID-19.

Top Channel