Kryetari i Komitetit për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve, Eliot Engel deklaroi se Hashim Thaçi tregoi respektim ndaj ligjit kur dha dorëheqje nga posti i të parit të vendit për t’u përballur me drejtësinë, ndërsa shtoi se Kongresi do të përcjellë nga afër punën e Speciales që të sigurohet se po i përmbahet ligjit dhe po respekton të drejtat e të akuzuarve.

Ai përmes një deklarate për media ka kritikuar Gjykatën Speciale pasi ka shënjestruar vetëm shqiptarët dhe tha se do të kërkojë nga Departamenti amerikan i Drejtësisë që të monitorojë nëse Gjykata Speciale është duke vepruar sipas ligjit.

“Statusi që ka krijuar Gjykatën Speciale, nuk e ka kufizuar atë që të merret vetëm me shqiptarët. Ligji thotë se juridiksioni i gjykatës është për krimet e luftës që janë bërë në Kosovë gjatë një kohe të caktuar në periudhën e luftës. Fatkeqësisht, kjo gjykatë duhet se vepron si një gjykatë etnike – që ndjek vetëm shqiptarë që pretendohet se kanë kryer krime. I bëj thirrje Departamentit amerikan të Drejtësisë që të ekzaminojë punën e Gjykatës Speciale dhe të sigurohet se nuk po shënjestrën njerëzit vetëm në bazë të etnisë së tyre dhe bëj thirrje që të ndalohet mbështetja dhe bashkëpunimi i SHBA-së me këtë gjykatë, derisa të dalin përfundime lidhur me këtë çështje”, tha Engel.

Ai ka përkujtuar se shumica e krimeve në Kosovë janë kryer nga kasapi i Ballkanit Slobodan Millosheviç gjatë fushatës gjenocidiale të spastrimit etnik, por që prej mbylljes së Tribunalit, personat në Serbi që kanë kryer krime, nuk janë më subjekt i drejtësisë ndërkombëtare.

Ai përmendi edhe rastin e vrasjes së vëllezërve Bytyçi, shtetas amerikanë, ku personat përgjegjës për këtë krim nuk janë vënë para drejtësisë edhe pse ata janë identifikuar dhe jetojnë në Serbi.

Ndryshe, sot Dhomat e Specializuara konfirmuan aktakuzën ndaj presidentit Hashim Thaçit dhe kreut të Partisë Demokratike të Kosovës. Një ditë më herët, aktakuzat i janë konfirmuar edhe ish-kryetarit të Kuvendit Jakup Krasniqit dhe deputetit të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi.

Top Channel