Protestë kundër mësimit online/ Studentët para Ministrisë së Arsimit dhe Shëndetësisë, kërkojnë kthimin në auditore

02/11/2020 15:02

Dita e parë e mësimit për disa studentë nisi përpara Ministrisë së Arsimit. Ata protestojnë kundër vendimit të komitetit teknik të ekspertëve për mësimin online në muajin e parë, ndërsa duan të rikthehen në auditore.

Vendim i vonuar. Me dy standarde ku çdo gjë është hapur vetëm universitetet janë mbyllur. Pa paketa falas interneti për studentët, nuk ka rimbursim të pagesave të qirave. E padrejtë.

Xhozue dhe Elia Fiori janë dy vëllezër italianë të cilët ndjekin studimet e larta në Shqipëri dhe i janë bashkuar protestës. Më të vështirë e ka Elia që është në vit të parë te Akademia e Arteve se sa Xhozue që mbyll ciklin master këtë vit te mjekësia veterinare.

“Mund të ishim kthyer ne Itali po të merrej më herët vendimi. Tani kemi paguar qiranë. Nuk është e mundur mësimi online, rrëmujë”.

Teksa hoqën maskat dhe i vendosën në muret e ministrisë së arsimit me thirrjen ju jeni virusi , studentët nuk nënshtrohen u mbyll protesta e sotme. Ata deklaruan se do të bojkotojnë mësimin virtual dhe do të kthehen sërish për të protestuar ditën e nesërme.

Top Channel