Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi u shpreh se bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë kanë kuptim vetëm nëse në tryezën e diskutimeve paraqitet çështja e njohjes së ndërsjellë, në të kundërtën, sipas tij, ato janë një proces i dështuar.

“Ky dialog ka vetëm një kuptim nëse propozimi për njohje reciproke hidhet në tavolinë, përndryshe, është krejt i pakuptimtë, krejt i panevojshëm dhe është i dështuar dhe është në favor të Serbisë, si i tillë që po zhvillohet”, ishte komenti i tij.

Kritika ndaj bisedimeve aktuale të ndërmjetësuara nga BE-ja kanë shprehur edhe udhëheqës të partive politike në Kosovë të cilët po kundërshtojnë siç thonë, rrëshqitjen e bisedimeve drejt temave tashmë të mbyllura. Javën e kaluar, grupet e ekspertëve të Kosovës dhe Serbisë u takuan në Bruksel për të diskutuar çështjet që lidhen me kërkesat financiare dhe të pronës.

Por, edhe kësaj radhe takimi përfundoi pa ndonjë përparim. Pala serbe po kërkon që në bisedimet e lehtësuara nga Bashkimi Evropian të diskutohet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ndërsa Kosova e quan tashmë çështje të mbyllur.

Top Channel