Sllovakia teston 2.5 milionë qytetarë në një ditë për coronavirus

01/11/2020 18:09

Pothuajse gjysma e popullsisë së përgjithshme të Sllovakisë janë testuar për coronavirus, me të cilën qeveria e këtij vendi kërkon të ngadalësojë përhapjen e virusit.

Ministri i Mbrojtjes, Jaroslav Nad tha të dielën se 2.58 milionë sllovakë ishin testuar të shtunën dhe se 25,850 prej tyre, ose një për qind, ishin pozitivë për coronavirusin dhe duhej të ishin në karantinë.

Sllovakia ka një popullsi prej 5.5 milionë banorësh dhe planifikon të testojë sa më shumë njerëz të jetë e mundur, përveç fëmijëve nën 10 vjeç. Më shumë se 40 mijë punonjës shëndetësorë, ushtarë, policë, punonjës administrativë dhe vullnetarë u mobilizuan në rreth pesë mijë vendet e provave.

Projekti i tyre po shikohet nga shtetet e tjera duke kërkuar mënyra për të ngadalësuar përhapjen e virusit dhe për të shmangur mbingarkesën e sistemeve shëndetësore.

Testimi ishte vullnetar, por qeveria njoftoi se do të vendoste një bllokim për ata që nuk vijnë për t’u testuar, duke përfshirë një ndalim për të shkuar në punë.

Një raund i dytë i testimit është planifikuar për fundjavën e ardhshme për të mbuluar ata që kanë humbur këtë herë, por edhe ata që infektohen ndërkohë.

Top Channel