Emisioni investigativ Fiks Fare denoncoi një aferë korruptive në nivelet më të larta të qeverisë në Kosovë.
Ministri i Ekonomisë Blerim Kuçi është fitues i tenderit për ndërtimin e një spitali në Prizren, procedurë e cila ka zgjatur për rreth 1 vit për shkak të ankesave të operatorëve pjesëmarrës, që kanë vijuar edhe pas lidhjes së kontratës së bërë në Tetor.
Ndërkohë që Blerim Kucci ka marrë detyrën si ministër qysh prej Qershorit. Ai ka hedhur poshtë akuzat se tenderi nuk është fituar gjatë kohës që ishte deputet apo ministër.
Por Fiks Fare është interesuar pranë Organit të Shqyrtimit të Prokurimeve, i cili ka pranuar të japë vetëm një përgjigje me shkrim ku konfirmon ankesat për këtë tender që shpallte fitues kompaninë “Hidroterm”, teksa shton se nuk janë bërë asnjëherë për konflikt interesi.
Personi i besuar i cili aktualisht administron 100 % të kapitaleve të kompanisë “Hidroterm” është Blertë Kuçi, vajza e ministrit Kuçi, diçka që bie në kundërshtim me ligjin për Konfliktin e Interesit.
I pyetur gjatë një emisioni në RTV Dukagjini lidhur me këtë tender me vlerë prej 5 milionë euro, i fituar nga kompania “Hidroterm”, ministri Kuçi tha se do të marrë në konsideratë dorëheqjen nëse Autoriteti Kosovar i Konkurrencës vlerëson se në këtë tender, ka konflikt interesi. Pas kësaj deklarate, ai është larguar nga emisioni.
Në mediat vendase thuhet se për tenderin në fjalë, tashmë kanë nisur hetime. Kreu I agjencisë Kundër Korrupsionit, Shaip Havolli konfirmoi për gazetën Express se ministri Kuci po hetohet për konflikt interesi. Pasi hetimi të përfundojë, do të njoftohet edhe Prokuroria”, është shprehur Havolli.
Top Channel