Do të shfaqet për herë të parë në 13 nëntor në rrjetin Netflix filmi ”Jeta përballë saj”, i cili ka për protagonist divën e kinematografisë botërore Sofia Loren.

Filmi me regji të djalit të saj, Edoardo Ponti ka në qendër historinë e një gruaje të moshuar hebreje, ish- punëtore seksi, dhe e mbijetuar e Aushvicit, si dhe marrëdhënien e saj me një fëmijë senegalez. Kur Edoardo i propozoi rolin e Madame Rosës, ikona e kinematografisë nuk mundi t’i thotë jo.

“Jeta përballë saj” është një libër që e njoh shumë mirë, dhe personazhi më tërhoqi shumë, duke më bërë të rikthehesha në kohën kur hodha hapat e parë  në kinematografi. Është një histori që ia vlen të rrëfehet”, shprehet Sofia e emocionuar. Ajo e quajti dramën ku interpreton një mesazh tolerance, faljeje dhe dashurie.

“Të gjithë kemi të drejtën të na shohin e të na dëgjojnë, përndryshe jeta bëhet e pamundur”, shton Loren. Kjo përbën të tretën herë që Edoardo e drejton të ëmën në karrierën e saj kinematografike.

Top Channel