Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj zhvilloi një bisedë telefonike me Ministrin e Jashtëm të Holandës, Stef Blok.
Diskutimi kryesor mes dy homologëve ishte rruga evropiane e Shqipërisë, për të cilën Cakaj e informoi hollësisht Blok mbi përparimin që ka bërë Shqipëria në përmbushjen e detyrimeve të nevojshme për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.
“Përkushtimi ynë është i plotë, për të mbyllur të gjitha detyrimet e nevojshme, për të përparuar në procesin e negociimit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, u shpreh Cakaj në një reagim në Facebook, lidhur me telefonatën e zhvilluar.
Gjithashtu, Cakaj theksoi se Holanda vlerëson pozitivisht arritjet e deritanishme të Shqipërisë në pesë prioritetet kyçe dhe vazhdon ta mbështesë procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor.
“Shqipëria do të vazhdojë vetëm përpara e drejt Bashkimit Evropian.”, përmbylli kryediplomati.
Top Channel