​Zgjedhjet në Podujevë dhe Mitrovicë të Veriut, nis aplikimi për regjistrim për votim jashtë vendit

30/10/2020 13:33

KQZ njofton se sot ka filluar periudha e aplikimit për regjistrim për votim jashtë Kosovës për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Komunës së Podujevës dhe të Mitrovicës së Veriut.

Afati për aplikim përmbyllet më 7 nëntor.Gjatë kësaj periudhe, shtetasit e Kosovës me të drejtë vote që jetojnë jashtë Republikës së Kosovës dhe që i takojnë këtyre dy komunave, mund të aplikojnë për regjistrim për të votuar përmes postës.

KQZ nëpërmjet një njoftimi sqaron se edhe ata/ato që nuk kanë shtetësinë e Republikës së Kosovës, por që kanë të drejtë të jenë shtetas të Republikës së Kosovës, sipas Ligjit për Shtetësi, mund të aplikojnë. “Informacionet e detajuara dhe si të aplikohet për regjistrim janë publikuar në:  https://www.kqz-ks.org/sherbimet-per-votuesit/votimi-me-poste/ Të gjithë ata/ato që regjistrohen suksesshëm si votues jashtë vendit mund të votojnë gjatë periudhës së votimit përmes postës e cila fillon më 20 nëntor dhe përfundon më 27 nëntor 2020.

Sqarim shtesë: Të gjithë votuesit që janë regjistruar suksesshëm si votues jashtë vendit në periudhën e zhvilluar më herët (16 – 23 shkurt) për të votuar në zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kryetar Komune në Podujevë, duhet të aplikojnë sërish për regjistrim dhe vetëm pas regjistrimit do të mund të marrin pjesë në votimin përmes postës”, thuhet në njoftim.

Top Channel