Tjetërsimi i tokave në Hamallaj/ Si u regjistruan pronat në një kohë të shkurtër duke anashkaluar dëshmitë e trashëgimisë

28/10/2020 19:36
Hamallaj

Pronat në Gjirin e Lalzit kanë tërhequr vëmendjen e publikut për mënyrën e abuzimit dhe tjetërsimit që është bërë vitet e fundit.

Top Channel ka siguruar së fundmi një tjetër shkelje të rëndë, kësaj here në zonën e Hamallajt, e pozicionuar në pjesë jugore të Lalzit.

Bëhet fjalë për një parcel prej më shumë se mbi 100 mijë metra katrorësh, buzë detit. Parcela është ndarë në disa përfitues, ku secili prej tyre është regjistruar me certifikatë pronësie, në bazë të aplikimit të datës 4 Nëntor 2019 dhe më pas është lidhur një kontratë porosie me një kompani ndërtimi.

Top Channel ka siguruar dosjen e plotë sesi janë regjistruar këto prona, brenda një afati të shkurtër kohor nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, dega Durrrës. Procedura e përshpejtuar ka anashkaluar dëshmitë e trashëgimisë, duke bërë kështu regjistrimin, saktësimin dhe pozicionimin e hartave, për vetëm një pjesë të përfituesve të kësaj parcele.

Në një situatë normale, Kadastra e Durrësit duhej të hapte të gjitha dëshmitë e trashëgimisë, të verifikoheshin përfituesit e më pas të bëhej regjistrimi i pronës. Por, procedura ka nisur nga fundi dhe përfituesit të cilët kanë nënshkruar një kontratë porosie për ndërtim, kanë nisur konfliktet me një pjesë tjetër të familjarëve.

Aktualisht disa prej përfitueseve kanë fituar proceset gjyqësore për dëshminë e trashëgimisë, por Kadastra e Durrësit e ka të pamundur ta regjistrojë apo të bëjë korrigjimet në parcelën prej 100 mijë metrash, pasi aktualisht është e bllokuar me kontratë porosie nga sipërmarrësi.

Top Channel