Përkujtohen ushtarët grekë/ Në ceremonitë e varrezave të Bularatit dhe Këlcyrës edhe zyrtarë të Athinës

28/10/2020 15:26

Ceremonia zyrtare që u mbajt në Bularat për të rënët e luftës italo-greke u shoqërua nga fjalime të autoriteteve vendore ku merrte pjesë prefekti i qarkut të Gjirokastrës, autoritete të larta të ushtrisë shqiptare gjithashtu autoritete vendore dhe zv. ministri i jashtëm grek Kostandinos Vllasis.

Ky i fundit më parë ka vizituar familjarë të Kostandino Kacifas si edhe varrin e tij në fshatin Bularat megjithatë emri i Kacifas nuk u përmend përgjatë ceremonisë zyrtare as në Këlcyrë dhe as në Bularat. Në një prononcim të mëparshëm për mediat nga Këlcyra Vangjel Dule i ka kërkuar autoriteteve shqiptare zbardhjen e çështjes së Kacifas si një kërkesë kjo që vjen edhe prej parlamentit europian.

Vangjel Dule: Kjo nuk është një kërkesë e imja personale apo e PBDNJ. Në radhë të parë kjo është një kërkesë e vetkuptueshme dhe presupozohet se jepet për këdo dhe në çdo rast në një shtet të së drejtës. Nga ana tjetër është kërkesë e parlamentit europian.

Përfaqësuesi i qeverisë shqiptare në fjalimin e tij vlerësoi rolin e ushtarëve grekë të rënë gjatë luftës italo-greke por theksoi për të disatën herë se ata janë ushtarë që kanë rënë në tokë të huaj.

Odise Kote: Nderojmë këta ushtarakë dhe civilë që dhanë jetën në tokë të huaj gjatë luftës greko-italiane. Shumica e tyre djem të rinj të thirrur nën armë por edhe vajta të reja të angazhuara në shërbimet në ndihmë të ushtrisë u larguan nga shtëpitë e tyre, luftuan dhe e ndoqën ushtrinë e huaj edhe përtej kufinjve të vendit të vet.

Në fjalimin e tij në Bularat Kostandinos Vllasi zv ministri i jashtëm grek ka thesksuar rolin konfliktual dhe problematik të Turqisë në rajon si një çështje që duhet të përballet nga të gjitha vendet.

“Përveç situatës së pandemisë një tjetër kërcënim madhor po shqetëson rajonin. Turqia është një çështje që po prodhon tension jo vetëm në Greqi por tek të gjitha vendet e Ballkanit”

Vetëm në varrezat e Këlcyrës dhe ato të Bularatit prehen rreth 1500 ushtarë grekë të rënë gjatë luftës italo-greke në Shqipëri, shumica e tyre pa emër.

Top Channel